Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron ka folur për herë të parë në Parlament lidhur me skandalin e Panamasë, pas presioneve të vazhdueshme nga deputetët opozitarë.

Ai ka thënë se prej vitit 2010 nuk ka pasur investime në kompani off-shore, dhe se gjatë orëve të fundit ka publikuar informacione mjaft të qarta në lidhje me të ardhurat e tij.

Cameron ka thënë se që nga zgjedhja e tij kryeministër nuk ka pasur më të ardhura nga kompani të tilla, por ka theksuar se kapitali i është shtuar në mënyra të tjera, të ligjshme, të cilat janë deklaruar edhe në autoritetet përkatëse.

“Ditën e djeshme kam publikuar të gjitha informacionet e nevojshme në lidhje me fitimet e mia dhe sistemin me të cilin jam taksuar. Këto të dhëna nuk janë vetëm për vitin e shkuar, por për gjashtë vitet që kemi lënë pas. Përveç kësaj, unë kam dhënë edhe informacione të detajuara sa i përket pasurisë së trashëguar, të cilat i kam marrë nga familja. Pra qytetarët mund të shohin lirisht burimet e mia të fitimit, që janë paga ime si Kryeministër, mbështetja që kemi marrë unë dhe gruaja ime nga familjet respektive, dhënia me qera e banesës sonë të vjetër si dhe interesi që përfitojmë nga depozitat me interes”, ka thënë Cameron në Parlament.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn.

Corbyn ka thënë se një numër mjaft i lartë i shtetasve britanikë përdornin kompanitë off-shore për të shmangur detyrimet e tyre taksore.

Ai ka thënë se pret mbështetjen e kryeministrit, si dhe te të gjithë anëtarëve të parlamentit, për të luftuar këtë dukuri e cila sipas tij është e pandershme dhe dëmton rëndë ekonominë e vendit.