Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit B.K., i dyshuar për vendosjen e eksplozivit në veturën private të ushtruesit të detyrës së drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Osman Hajdari.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ndërsa masa është vendosur për shkak të veprave penale: përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, zjarrvënie dhe armëmbajtje pa leje.


Sipas vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezik për arratisje dhe përsëritje të veprës penale nga ana e të pandehurit, duke theksuar përdorimin e eksplozivit në zonë të populluar si një akt i rrezikshëm për sigurinë publike. Gjykata vlerësoi se veprat penale dyshohet të jenë kryer në mënyrë të planifikuar dhe të qëllimshme, me motiv financiar, çka e rrit rrezikun që i pandehuri të kryejë vepra të tjera të ngjashme nëse lihet në liri.

Po ashtu, u theksua mundësia që i dyshuari të ndikojë në dëshmitarë, bashkëpjesëmarrës apo të fshehë prova, ndaj paraburgimi u konsiderua si masa e vetme e domosdoshme për mbarëvajtjen e procedurës penale.

Ngjarja për të cilën akuzohet B.K. ndodhi kur në veturën e drejtorit të përkohshëm të QKUK-së, O.H., dyshohet se u vendos një sasi eksplozivi, duke shkaktuar dëme materiale në automjet.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë./Telegrafi/