Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi dhe ministri i Mjedisit Jetësor Naser Nuredini, së bashku me përfaqësuesin e UNDP-së në Maqedoninë e Veriut, Narine Sahakjan, mbajtën fjalim në punëtorinë fillestare onlajn për përpilimin e Planit kombëtar për adaptim ndaj ndryshimeve klimatike, që do të përpilohet me pjesëmarrjen e të gjitha palëve të prekura në shoqëri.

Zëvendëskryeministri Bytyqi, në fjalën e tij hyrëse, vuri në dukje se ndryshimet klimatike shkaktojnë ndikime që kanë përmasa të madh, ndaj të cilave nevojitet adaptim. Ai madje tha se edhe zbutja më efikase e ndryshimeve klimatike përmes zvogëlimit të emisioneve ose mënjanimi i rritur i gazrave të qelqta nga atmosfera, nuk do të parandalonte ndikimet e mëtejshme të ndryshimeve klimatike, duke e bërë nevojën e adaptimit të pashmangshme.

“Ne duhet të rrisim urgjentisht investimet në adaptimin e klimës, veçanërisht për të përgatitur zgjidhje që do të bazohen në nevojat e natyrës, për të ndërtuar shoqëri, ekonomi dhe ekosisteme më rezistuese. Ndryshimet klimatike kanë potencialin për të destabilizuar edhe ekonomitë dhe shoqëritë, duke kombinuar sfida të tjera ekologjike dhe duke minuar përpjekjet për zhvillim të qëndrueshëm. Ky adaptim përfshin shumë fusha të tilla si infrastruktura, bujqësia, shëndetësia, ekonomia, arsimi etj. Prandaj, të kuptuarit e lidhjes mes ndryshimeve klimatike dhe sektorëve të tjerë është pjesë e rëndësishme e punës sonë”, theksoi zëvendëskryeministri.

Duke iu referuar ligjeve të natyrës, zëvendëskryeministri theksoi se adaptimi ndaj ndryshimeve klimatike është parakushti kryesor për ekzistencën dhe mbijetesën e specieve, e ky parim reflektohet edhe në biznesin, por edhe në çdo segment të jetës: ekipet më të qëndrueshme dhe të adaptueshme arrijnë më shumë sesa ato që janë të ngurta dhe nuk duan të ndryshojnë.

“Të gjithë i ndjemë ndryshimet e imponuara nga kriza e kovidit dhe ngadalë filluam të përshtatemi. Mendoj se ky është një moment i shkëlqyeshëm për të hedhur themelet për adaptim përmes vendosjes së sistemit përkatës, duke marrë parasysh se Maqedonia e Veriut përshtatet me Agjendën e gjelbër të Bashkimit Evropian, e para do kohë u miratua edhe Strategjia Evropiane për Adaptim dhe jemi në fazën e miratimit të Ligjit dhe Strategjisë afatgjate për aksion klimatik”, tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri theksoi se përgatitja e Planit Kombëtar për adaptim paraqet bazën për aktivitetet e mëtejshme që shteti do të duhet t’i ndërmarrë në mënyrë që të zvogëlojë rreziqet nga përmbytjet, zjarret, dukuritë ekstreme, por në të njëjtën kohë t’i përgatisë qytetarët, , infrastrukturën, sektorët e ndryshëm për këto fatkeqësi eventuale natyrore.

“Do të doja të theksoj se jemi në fazën e zhvillimit të Strategjisë kombëtare zhvillimore por edhe të Planit kombëtar hapësinor. Për herë të parë në Planin kombëtar hapësinor, është përfshirë komponenti i adaptimit, përmes metodologjisë së përgatitur me ndihmën e UNDP-së. Strategjia kombëtare zhvillimore 2021 – 2041 do të përfshijë në vete dokumentet tashmë të rëndësishme strategjike dhe planifikuese, me qëllim që të zhvillohen aktivitete përkatëse që do të ndihmojnë në planifikimin afatgjatë strategjik dhe zhvillimin e qëndrueshëm, para së gjithash ekonomik, zhvillim të shtetit”, bëri të ditur zëvendëskryeministri.

Përgatitja e Planit kombëtar të adaptimit është një nga detyrimet që rezultojnë nga Konventa kornizë për ndryshime klimatike, ndërsa financimi për përgatitjen e këtij dokumenti është mundësuar përmes Programit të gatishmërisë së Fondit të gjelbër Klimatike.

“I mbetet Qeverisë, partnerëve ndërkombëtarë, por edhe sektorit privat të bëjnë përpjekje aktivitetet që do t’i përcaktojmëpër të jenë të implementuara në mënyrë përkatëse, meqë shpenzimet për investime dhe përgatitje ndaj ndryshimeve klimatike janë shumë më të ulëta sesa ato për sanimin e dukurive ekstreme”, konkludoi në fjalimin e tij zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, theksoi se aspekti i adaptimit është po aq i rëndësishëm sa aspekti i zbutjes së ndryshimeve klimatike.

“Përgatitja dhe miratimi i Planit Kombëtar për adaptim si një nga dokumentet më të rëndësishme gjatë planifikimit janë dhënë në draft-ligjin dhe Strategjinë afatgjatë të aksionit klimatik”, theksoi ministri Nuredini në fjalën e tij hyrëse, duke shtuar se MMJPH-ja inicioi edhe procesin e vendosjes së sistemit për vëzhgim/lajmërim dhe verifikim si vegël që do të ndjekë përparimin në raport me qëllimet kombëtare klimatike dhe zbatimin e politikave dhe masave për zbutje dhe adaptim, e gjithashtu do t’i evidentojë dhe prezantojë investimet klimatike në vend.

Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Maqedoninë e Veriut, Narine Sahakjan tha se kur bëhet fjalë për adaptim ndaj ndryshimeve klimatike, nuk ka “një zgjidhje për të gjithë”.

“Prandaj jemi këtu sot për të siguruar që me qasje participuese dhe plotësisht transparente propozimi për përgatitjen e Planit kombëtar për adaptim ndaj ndryshimeve klimatike bazohet në prioritetet e shtetit, është në përputhje me politikat tjera sektoriale dhe merr parasysh interesat e grupeve të rrezikuara”, nënvizoi Sahakjan.