LAJMI I FUNDIT:

Bytyqi dhe ambasadori kanadez bisedojnë për zhvillimet në arsim

Bytyqi dhe ambasadori kanadez bisedojnë për zhvillimet në arsim

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, priti ambasadorin e Kanadasë në Kroaci, njëherësh ambasador jo-rezident në Kosovë, Daniel Maksymiuk, me të cilin bisedoi për zhvillimet në arsim, prioritetet dhe mundësitë e bashkëpunimit në këtë sektor.

Në një njoftim për media bëhet e ditur se Bytyqi theksoi nevojën e thellimit të bashkëpunimit reciprok të institucioneve akademike.


”Ne jemi të angazhuar që të ndërtojmë një sistem të mirë arsimor, të bëjmë reformat e duhura dhe të përafrojmë sistemin tonë arsimor me atë të vendeve të zhvilluara “, tha ministri Bytyqi.

Ministri përmendi prioritetet që MAShT-i i ka vënë para vetes për t’i realizuar dhe theksoi se që kjo të ndodhë plotësisht duhet edhe përkrahja e partnerëve ndërkombëtarë, pra edhe e Kanadasë, si një vend që ka një sistem të zhvilluar arsimor.

Ministri Bytyqi, ndër tjera, përmendi nevojën e përfshirjes të sa më shumë fëmijëve në edukimin e hershëm, trajnimin e mësimdhënësve, si dhe ndërlidhjen e mësimit teorik me atë praktik.

Ndër temat kryesore që u diskutuan në këtë takim ishte përfshirja sa më e madhe e të rinjve të komuniteteve në sistemin tonë arsimor.

“Gjithëpërfshirja, përkatësisht krijimi i mundësive për arsimim të të gjithëve që jetojnë në Kosovë është ndër prioritetet kryesore të MAShT, ku edhe janë bërë hapat e duhur për rregullimin e infrastrukturës ligjore”, theksoi Bytyqi.

Gjatë këtij takimi u bisedua edhe për dygjuhësinë në arsim, për çka ministri Bytyqi e informoi Ambasadorin se në Kosovë ofrohet arsimim në të gjitha gjuhët e komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

“Me angazhimin dhe përkushtimin tonë dhe me përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë dhe të vendit tuaj, besoj se do të kemi sukses në realizimin e prioriteteve që kemi renditur”, theksoi në fund ministri.

Ministri Bytyqi dhe ambasadori Maksymiuk u dakorduan që të fillohet sa më parë bashkëpunimi me projekte konkrete në fushën e edukimit. /Telegrafi/