LAJMI I FUNDIT:

Buxhetit të ardhshëm i shtohen edhe 11 milionë euro nga Trusti

Buxhetit të ardhshëm i shtohen edhe 11 milionë euro nga Trusti

Buxhetit të Kosovës do t’i shtohen edhe 11 milionë euro, para këto nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Kërkesa për këtë shumë shtesë u shtrua sot në Komisionin për Buxhet dhe Financa nga ministri i Financave Bedri Hamza.


Kërkesat e ministrit janë miratuar sot nga anëtarët e Komisionit, e që përveç kësaj kërkese është miratuar edhe kërkesa për 500 mijë euro shtesë për komunitetet dhe 60 mijë euro për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

“Bazuar në legjislacionin aktual në fuqi janë të sigurta edhe 11 milionë euro shtesë për buxhetin e Kosovës nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës . Qeveria e ka marrë shkresën nga Bordi i Fondit Pensional të Kosovës që pritet të merret vendimi edhe këto mjete të derdhen në buxhetin në tre mujorin e parë të vitit të ardhshëm. Të njëjtën çështje ne kemi biseduar edhe me FMN-në sepse kjo do të ketë refleksione në tabelën 1 të buxhetit dhe do të rritet tavani i shpenzimeve të buxhetit te investimet kapitale edhe për 11 milionë euro”, tha Hamza.

Ai po ashtu ka kërkuat nga Komisioni që të merret në konsideratë edhe kërkesa për akomodim të edhe 60 mijë eurove për Akademinë.

“Në kuadër të zyrës së kryeministrit te pjesa e komuniteteve të ngritët edhe një shumë prej 500 mijë euro dhe pastaj këto janë propozimet e Ministrisë së Financave mbetet te Komisioni që i aprovon a jo . Mbi të gjitha është me rëndësi me reflektua këtë 11 milionëshin , se që nuk e reflektojmë këtë 11 milionëshin realisht jemi të detyruar me bërë shkurtime në projektet ekzistuese kapitale “, tha Hamza.

Ndryshe Komisioni sot ka shqyrtuar 101 amendamente të ligjit për buxhetin e vitit 2018.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nga dhjetëra kërkesa nga deputetët janë propozuar 101 amendamente.

“Gjatë takime në grupe punuese janë shqyrtuar me dhjetëra kërkesa edhe saktësisht janë propozuar sot 101 amendamente. Këto janë ndryshimet që i bëhen buxhetit të Republikës. Ju i keni marrë dokumentacionin përpara ne do ti shqyrtojmë amendamente pas amendamenti, i keni parasysh amendamentet e përkrahura nga Komisioni janë amendamentet të trajtuara në grupe punuese dhe i kanë kaluar dëgjimet edhe komentet edhe të palëve me interes edhe të deputetëve”, tha Abdixhiku /Telegrafi /