Afro 4 mijë fansa të muzikës hip-hop ishin mbledhur mbrëmë në sallë për të dytën natë radhazi, pasi koncerti i reperit amerikan dështoi një ditë më parë.

Busta Rhymes u ngjit në skenë afro gjysmë ore pas mesnate (00:30) dhe fjalët e tij të para ishin: “Kosovë mirë se ju gjeta”.


“Ata u munduan të na ndalin. Na lanë të presim në Aeroportin e Romës në Itali për 15 orë. Mirëpo askush nuk mund të më ndalojë të vij në këtë vend të bukur si Kosova”, ka thënë Busta, derisa publiku kosovar filloi të merrte ‘flakë’.

Ai ka performuar në skenë disa prej hiteve të tij më të mëdha, si “Break Ya Neck”, “Touch it”, “Gimme Some More”, “Arab Money”, e të tjera, duke vazhduar shoun e tij deri rreth orës 02:00 pas mesnate, kohë pas kohe duke përcjellë edhe mesazhe të ndryshme për publikun kosovar.

“Është nata më e mirë gjatë 20 viteve të karrierës sime, nuk do ta harroj Kosovën kurrë dhe ju premtoj që do të shihemi sërish”, është shprehur Rhymes.

Performanca e reperit amerikan nuk ka humbur ritmin në asnjë moment dhe ai së bashku me publikun kosovar vazhduan kërcimin poshtë e lartë pa u lodhur fare. /Telegrafi/