LAJMI I FUNDIT:

Bursat globale fillojnë javën me rënie

Bursat globale fillojnë javën me rënie

Tregjet e kapitalit e nisën javën në performancë negative, ndërkohë që investitorët janë shqetësuar nga rritja e interesave të titujve të borxhit, nxitur nga pritshmëritë për rritjen e inflacionit. Tregjet aziatikë kryesuan rënien, duke ndjekur bursat amerikane ditën e premte, që ishte dita më e keqe tregtare në 2 vite.

Indeksi i titujve të kapitalit Dow Jones në Shtetet e Bashkaura të Amerikës, humbi 667 pikë, shkruan Scan, që është rënia e gjashtë më e madhe në histori. Kjo erdhi prej publikimit të të dhënave mbi punësimin, që pati rritje sipër projeksioneve, gjë që shtoi pritshmëritë e rritjes së inflacionit.


Edhe tregjet evropiane janë hapur në performancë të dobët, ndërsa tregtimi i kontratave të së ardhmes, gjithashtu sot tregon për një hapje negative në SHBA.

Indeksi i titujve të kapitalit në Londër, pati rënie me 1 për qind, gjithashtu bursat gjermane regjistruan humbje, si rezultat i dështimit për të përfunduar bisedimet për koalicion brenda afatit. Sipas analistëve, pritshmëritë për tkurrje të politikave monetare po fillojnë të ndikojnë në kushtet financiare.

Tregjet e borxhit kanë patur presione këtë vit, ndërkohë që ndjesia mbi ekonominë është përmirësuar dhe bankat qendrore kanë hequr një pjesë të stimujve monetarë, që janë projektuar për periudha të krizave.

Interesat e borxhit 10-vjeçar në SHBA, u rritën në 2.88 për qind, ndërkohë që rritja e pagave dhe fuqizimi i ekonomisë kanë shtuar mundësitë e tkurrjes së shpejtë monetare nga Rezerva Federale. /Telegrafi/