Bruksel: Ftesë për takimin Jahjaga-Nikolic, më 6 shkurt

Lajmi është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, nga zyra e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.
Zëdhënësja Maja Kocijancic, ka thënë për REL se për të dy presidentët është dërguar ftesa për takim.
“Catherine Ashton i ka thirrur për në Bruksel, presidentin Tomislav Nikollic dhe presidenten Atifete Jahjaga, për takime më 6 shkurt”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, në njoftim theksohet se “takimet mbahen në kontekst të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy palëve”.
Tashmë, në dialogun e nivelit të lartë politik Kosovë - Serbi, janë mbajtur disa takime ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Dacic.
Këto takime, që janë ndërmjetësuar nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, kanë rezultuar me disa marrëveshje, në mesin e të cilave është edhe ajo për menaxhimin e integruar të kufirit. /Telegrafi/












































