Brooklyn Beckham 'godet' me një tjetër veprim prindërit e tij - përmes Instagramit u çon mesazh se tani ai sheh botën vetëm përmes syve të gruas së tij

Brooklyn Beckham ka ndryshuar së fundmi foton e profilit në Instagram, një veprim që ka shkaktuar shqetësim si brenda familjes së tij, ashtu edhe te fansat. Ky ndryshim vjen pasi ai publikoi një deklaratë të gjatë, ku akuzoi prindërit e tij, David Beckham dhe Victoria Beckham, se e kanë kontrolluar dhe kanë ndikuar negativisht në marrëdhënien e tij me bashkëshorten Nicola Peltz.
Pas akuzave publike, Brooklyn përditësoi foton e profilit në Instagram, duke postuar një imazh të realizuar nga mbrapa, ku duken qafa dhe pjesa e pasme e kokës, ndërsa në fokus është tatuazhi i syve të Nicolës.
Sipas raportimeve të The Sun, anëtarët e familjes Beckham e kanë interpretuar këtë veprim si një mesazh simbolik, që nënkupton se Brooklyn tashmë “e sheh botën nga perspektiva e Nicolës”. Megjithatë, tatuazhi nuk përfshin vetëm sytë e saj.

Poshtë tyre është tatuar edhe një letër që Nicola i kishte shkruar Brooklyn-it para martesës, ku thuhet: “Dashuria ime e përjetshme. Lexoje këtë sa herë që ndihesh i mbingarkuar. Dua ta dish sa shumë je i dashur. Ke zemrën më të mirë që kam njohur ndonjëherë dhe shpresoj të mos vijë kurrë dita pa dashurinë tënde. Mendoj se je i jashtëzakonshëm. Thjesht dije se gjithçka mund ta kalojmë bashkë, nëse merr frymë ngadalë dhe beson. Të dua pafund. Gjithmonë e jotja, bashkëshortja jote e ardhshme”.

Një mik i Brooklyn-it ka deklaruar për mediat se ky veprim është “i tepruar dhe pothuajse alarmues”, duke shtuar: “Të shfaqësh në këtë mënyrë përkushtimin ndaj një marrëdhënieje ngre pikëpyetje. Pse ndjen nevojën ta bëjë këtë publikisht?”
Tensionet u shtuan edhe më shumë pasi vëllai i tij, Cruz Beckham, pëlqeu një video të nënës së tyre, Victoria Beckham, duke kërcyer me këngën e saj “I’m Not Such An Innocent Girl”. Përshkrimi i videos bënte shaka me të ashtuquajturin “vallëzim kontrovers” në dasmë. Edhe pse pëlqimi u hoq më vonë, shumë e panë këtë si një veprim që vetëm sa “hodhi benzinë në zjarr”.
Kujtojmë se Beckham, 26 vjeç, në deklaratën e tij publikoi një sërë akuzash ndaj prindërve, duke u ndalur veçanërisht te dita e dasmës. Ai shkroi se gjatë vallëzimit të parë, nëna e tij kishte kërcyer me të në një mënyrë që e përjetoi si të papërshtatshme, përpara të ftuarve, duke shtuar se “kurrë në jetën e tij nuk ishte ndjerë më i turpëruar dhe i poshtëruar”.
Prej kohësh kishte dyshime se marrëdhëniet brenda familjes nuk ishin të mira, pasi Brooklyn dhe Nicola Peltz mungonin në postimet e pjesës tjetër të familjes në rrjetet sociale. Videoja e vallëzimit të përfolur nuk është publikuar kurrë, pasi të ftuarve në dasmë u ishte kërkuar të dorëzonin telefonat. /Telegrafi/






























































