LAJMI I FUNDIT:

Brithyeri

Brithyeri

Dy hetues të autorizuar nga Komisari po shëtisnin kot nëpër Zezë dhe rrethinë, për të kuptuar fillin e ngjarjeve. Deri në ditën kur u emërua hetues i vrasjes së Mulziut, për Qorrziun nuk ishte dëgjuar a përhapur ndonjë fjalë e zezë. Biografia e hershme e Qorrziut, thjeshtë ishte enigmë. Kush mund të imagjinonte se, vrasja e Mulziut ka lidhje me syrin e verbër të Qorrziut? Madje për Mulziun, nuk kishte edhe një dokument, nga i cili mund të dëshmohej se paku datëlindja e tij. Askush nuk merrej me datëlindjen e zijoshëve, deri atë ditë kur u përhap lajmi për vrasjen Mulziut. Asnjë zijosh, nuk ishte në gjendje të thoshte, se kush mund të ketë qenë prind i Mulziut. Ai kishte vetëm emrin, me të cilin e identifikonin, që me gjasë ishte nofkë, dhe shërbente për përgojime të zeza, që ishin krejt të zakonshme në Zezë.

Qorrziu, hetimet duhet ti fillonte nga Zi Ziu, i cili njihej moti për shumë të zeza që i kishte sjellë gjithë fshatit.


Së pari, Qorrziu shpresonte se, nga Zi Ziu do të kuptojë fillin e ngjarjes, apo se paku do nxjerrë dëshmi relevante, që do t’i shërbenin gjatë hetimeve. Sa niste konstruktimin e mundshëm të ngjarjes së zezë, çdo mendim i turbullohej menjëherë, kur mendonte se, Zi Ziu nuk ka lënë të zezë pa bërë, dhe akoma vazhdon të njëjtat shprehi. Qorrziu ishte gëzuar fort kur mori detyrën e hetuesit, por së pari duhej të kuptonte edhe biografinë e Zi Ziut, me të cilin do të ketë punë gjatë hetimit.

Sikur të ishte vegim, Qorrziut filloi t’i kujtohej rrëfimi i gjyshit të tij për një grua të përdalë të fshatit të afërm Shurrëpelë. Thuhej se, aty, dikur moti, në konakun e asaj vejushe, ishte vrarë një pasha selxhuk. Kishin rrëfyer pleqtë, shumë herë se, një vejushë e këtij fshati, kishte lindur edhe fëmijë me dikën, që kishte kaluar natën aty. Qorrziut i shkoi mendja se, ndoshta pikërisht Mulziu, mund të ishte fëmijë bastard, pjellë e asaj gruaje, me një të huaj, pa nishan dhe pa emër. Për Mulziun, nuk ishte folur a dëgjuar diçka e tillë, derisa u vra.

Vet Mulziu ishte rritur thjeshtë në rrugë, dhe nga lëmosha e njerëzve të rastit. Flitej sesi, ajo grua vejushë, më herët kishte pasur burrë, një fshatar, me emrin Brithyeri, dhe siç përflitej asokohe, ai kishte kastruar vetën, pas dështimit të dashurisë së tij, me një bareshë fshati, të cilën, familja e saj. e kishin martuar për një djalë tjetër. Brithyeri e kishte ditur mirë, se vet nuk mund të kishte fëmijë, por megjithatë, ishte martuar. Gruan, me të cilën u martua, e kishte detyruar të ketë marrëdhënie me njerëz të huaj me çdo kusht, vetëm për të pasur fëmijë. Ajo grua u detyrua të gjejë një mashkull të zotin, ta ruaj sekretin, dhe me te , të lind së paku një djalë, dhe ashtu, t’ua mbyllë gojën përfundimisht fqinjëve, të cilët e tallnin çdo ditë, sesi do t’ia marrin hisen posa të vdes, dhe kështu do të shuhet oxhaku i tij. Thuhej se, pas disa kohësh, e shoqja e Brithyerit lindi djalë, të cilin e pagëzuan Dangall, dhe më vonë, gjithë lagjja, mori ketë emër.

Pasi ishte rritur Dangalli , dhe pasi i kishte vdekur e ëma, ai kishte trashëguar gjithë pasurinë. Qorrziu po mendonte me vete; nëse kjo grua lindi Dangallin, lehtë ka mundur të lind edhe një tjetër fëmijë, të cilin mund ta ketë braktisur, dhe ky mund të ishte vet Mulziu, që u vra në kasollen e tij, ku jetonte i vetmuar. Sa më shumë që kalonte koha, shpalimi i kujtimeve, ngatërronte edhe më shumë rrjedhat e ngjarjes. Qorrziu, jo pak herë, mendonte se, edhe ai vet, mund të ishte pjellë kopil, të cilit nuk i dihet origjina, apo se paku është një melez. Kishte kaluar kohë e gjatë prej kur ishte folur për vrasjen e një pashai selxhuk në konakun e vjetër të Brithyerit, dhe përgojimet ishin fashitur gati në tërësi, ndërsa shumë dëshmitar të kohës kishin vdekur e harruar. Mungesa e çfarëdo dokumenti, fshinte çdo ide të përafërt për konstruktimin e ngjarjes, apo për të lidhur një fjali, me të cilën do ta fillonte raportin e hetimeve, që duhej t’ia dorëzonte Komisarit, dhe në të cilin , lehtë mund të figuronte edhe emri i Qorrziut.

Qorrziut, dyshimi për origjinën e vet bastarde, po i shtohej çdo ditë. Vërtetësinë e origjinës mund ta hulumtojnë të tjerë hetues, dhe poqe së dalin elemente dyshimi, në Zezë do të pëlcasë e zezë dita, i thoshte me zë të ulët vetvetes.

Qorrziu po mendonte krejt hapur për marrëdhënie të mundshme seksuale të Mulziut me ndonjë grua të Zezës apo rrethinës, dhe për këtë, tashmë kishte pyetur edhe shumë zijoshë. Bile, kjo ide e hetuesit, që u përhap shpejt, nisi të bëhet komike në të katër anët e Zezës. Menjëherë filluan përgojimet, se cila grua e Zezës do të ketë qenë dashnorja e Mulziut? Ndoshta, Mulziu ka qenë tarak i fuqishëm seksi? Po të kishte vetëm edhe një gjurmë për këtë, lajmi do kishte marr dheun shumë herët. Çfarëdo marrëdhënie e Mulziut me ndonjë femër të Zezës, do të ishte bërë histori e padëgjuar. Madje, shumëkush do të akuzonte edhe gruan e vet për tradhti bashkëshortore me një njeri, me të cilin nuk fliste askush, dhe i cili as nuk dukej si njeri. Qorrziu, çdo ditë e më tepër, po binte pre, në kurthet dhe intrigat e zijoshëve, kështu që, shumë herë, edhe vet harronte fillin e ngjarjes.

Sa pyetje që i shtronte ndonjë zijoshi, Qorrziu ndryshonte edhe fillimin e raportit që kishte për detyrë ta shkruante, dhe të cilin duhej t’ia dorëzonte Komisarit të hetimeve të këtij rasti. Duke kontaktuar, me çdo zijosh, Qorrziu, shumë herë harronte edhe me cilin prej tyre kishte biseduar një ditë më parë.

Qorrziu, vet i dyti hetues, fare nuk kishin ide se, Komisari që nga fillimi i punës, ka edhe informator të rangut më të ulët, i cili e informon për çdo zhvillim në Zezë. Pikërisht pse emëroi dy hetues, ai kishte shumë informata paraprake, që ishin përhapur më herët. Një zijosh, i cili edhe gjumin e natës e kalonte me plis në kokë, ishte ai që, i pari kontaktonte me çdo pushtet, apo, qoftë edhe me ardhacak të panjohur rasti. Komisari, edhe pa nisur punën e tij, kishte mësuar shumë gjëra për Zezën dhe kush atje është më i përshtatshëm si informator i përhershëm. Për Fakirin, që njihej moti me nofkën Plisi, pak kujt i kishte shkuar mendja. Komisari, gjatë shkollimit kishte mësuar se, janë pikërisht ata njerëz, që bartin simbole kombëtare tepër të përshtatshëm dhe shumë të dëgjueshëm për të kryer detyrën e informatorit për të huajt.

Qëmoti komisari kishte përfytyrimin për një njeri të tillë, dhe ja tash, e kishte përpara, dhe po bisedonte me te. Komisari u habit se si, këtu në Zezë, ka plot njerëz të shkolluar, pleq të urtë e punëtor, por asnjëri nuk bartë plis. Kjo dukuri, Komisarit po i dukej shumë interesante, dhe ai po i thoshte vetit; ja që ky “patrioti me plis”, që shtihet kudo si një atdhetar, kryen punët më të pista për pushtuesin, dhe të tillët si ky, me siguri gjithmonë, iu kanë shërbyer edhe pushtuesve të tjerë. Duke bartur plis të bardhë, nuk do të dyshojë askush se, ky njeri kryen detyra të ndyta, prandaj është i përshtatshëm, tha më vete Komisari. Shërbimi ynë, pra, paska gjetur njeriun e duhur. Sa më shumë kalonin ditët, sa më shumë që Komisari njihte fshatin me rrethinë, Plisi ishte bërë aq i lëvizshëm dhe kthehej në stacionin e hetuesisë, edhe shumë më shpesh se, që komisari dëshironte. Ditë pas ditësh, edhe për Komisarin, Plisi filloi të bëhej i urryer, për aq shumë gjëra që informonte. Nuk mund të bëhej lëvizje në Zezë e të mos e dinte Plisi, dhe për këtë të mos e njoftonte Komisarin.

Edhe kolegu hetues i huaj,që e shoqëronte Qorrziun, kishte kontaktuar shumë herët me Plisin. Ai kishte evidencuar një njeri me plis të bardhë, i cili kryen detyra të informatorit. Por, Qorrziut nuk i kishte vajtur mendja fare se pikërisht Fakiri, përkatësisht Plisi, moti po informonte Komisarin për çdo fjalë a lëvizje të zijoshëve. Ziksin e mundonte fakti, pse këtu në Zezë, të gjithë bartin shamia të zeza, ndërsa ky njeri kalëron fare i vetmuar si çdo zijosh, dhe atë e sheh kudo me plis të bardhë mbi kokë.

Qorrziu kishte arritur të shkruaj dy tre fjali nga hetimet e para. Nuk ishte i vetëdijshëm se çka kishte shkruar në raport. Kishte harruar, që nuk ka asnjë ditë shkollë për këtë punë. Në raportin e tij të parë për Komisarin shkroi:

“Zi Ziu kishte parë dikur një siluetë gruaje, duke hyrë në shtëpinë e Mulziut. Vet Qorrziun e kishte verbuar një njeri i maskuar në oborrin e vejushës, tek e cila shkonin njerëz të ndryshëm, për të kënaqur epshet e tyre. As Qorrziu nuk kishte shkuar rastësisht në oborrin e vejushës, por pikërisht për këtë punë”….!

Mjaftuan këto pak fjali, që vet hetuesi të përfundoi në burg. (sic.)