Brigitte Macron bëri një kthesë të papritur në stil: Hoqi dorë nga takat dhe zgjodhi atlete elegante


Zonja e parë e Francës, Brigitte Macron, në çdo paraqitje dëshmon ndjenjën e saj të jashtëzakonshme për stil. Edhe këtë herë, në kuadër të samitit të G7, ajo tërhoqi vëmendjen me zgjedhjen e saj të modës
Ndërsa liderët botërorë diskutonin për politikën globale në samitin e G7 në Évian-les-Bains, takimi i zonjave dhe zotërinjve të parë në qytetin piktoresk Yvoire u shndërrua në një pasarelë shumë interesante mode.
Mes zonjave të para të pranishme, të gjithë sytë ishin drejtuar nga bashkëshortja e Emmanuel Macronit, Brigitte Macron, e cila edhe në dekadën e tetë të jetës vazhdon të zgjojë interes të madh te adhurueset e modës.
Ikona e elegancës franceze, e njohur për stilin e saj të kuruar deri në detaj dhe për besnikërinë ndaj takave të larta me stil, këtë herë bëri një lëvizje të papritur. Ajo tregoi se edhe atletet elegante mund të përshtaten me kodin diplomatik të veshjes.
Për shëtitjen në rrugët me kalldrëm buzë liqenit, zonja e parë e Francës zgjodhi një kostum gri të strukturuar me shumë elegancë, të kombinuar me një këmishë të bardhë klasike. Megjithatë, befasia e vërtetë për kritikët e modës erdhi kur vëmendja ra te atletet e saj, transmeton Telegrfi.

Në vend të takave të holla dhe të larta, nga të cilat rrallë heq dorë edhe në rastet më sfiduese, Brigitte Macron, 73 vjeçe, u shfaq me atlete moderne në tone neutrale, me detaje të bardha dhe të arta. Ky detaj i dha kostumit formal një pamje më të lehtë, më praktike dhe më bashkëkohore.
Me këtë zgjedhje, zonja e parë franceze dëshmoi se rehatia dhe eleganca mund të ecin përkrah njëra-tjetrës, madje edhe në ngjarje të nivelit më të lartë.
Ndërsa të ftuarat e tjera, si zonja e parë britanike Victoria Starmer, me një fustan të bardhë elegant veror, apo Charlotte Merz nga Gjermania, zgjodhën variante më klasike dhe formale, francezja me stil vendosi të merrte një rrezik mode që rezultoi shumë i suksesshëm.
Formula e saj e modës, kombinimi i kostumit formal me atlete, u tregua një zgjedhje e goditur dhe bashkëkohore.
Me këtë paraqitje jo tipike për të, Brigitte Macron edhe një herë konfirmoi statusin e saj si ikonë mode, e cila di shumë mirë si t’i përshtatë elementet klasike me çdo rast dhe, në të njëjtën kohë, të duket fantastike.
/Telegrafi/






































