Sociologu Galtung, drejtor i Qendrës Studimore për Paqe në Oslo, tha se autori i masakrës që la të vrarë 77 të rinj një vit më parë, teorikisht mund të ketë patur lidhje me Mossad-in, ose më e keq akoma, ka qenë agjent i tij, raporton Top Channel.

Hipotezën e tij, Galtung e mbron duke u mbështetur fort tek deklaratat e Breivik në procesin gjyqësor kundër tij, ku ai shpreh haptazi një urrejtje të madhe vetëm ndaj myslimanëve.


Kjo ka sjellë reagimin e Izraelit, që e ka cilësuar hipotezën e Galtung krejtësisht boshe e pavlerë. Tel Avivi zyrtar reagoi duke thënë se shërbimet e tij sekrete nuk kanë të bëjnë me ekstremistët dhe nuk stërviten për të urryer.

Kjo deklaratë e sociologut me emër në Norvegji pritet të komentohet gjatë, ashtu si deklarata e një drejtuesi të njohur radiofonik në vendin nordik, i cili disa ditë më parë, duke komentuar deklaratën e Breivik se ishte frymëzuar nga një “hero lufte serb” për sulmin e ndërmarrë, i cilësoi serbët si “derra”. /Telegrafi/