LAJMI I FUNDIT:

“Bozhuri” i dikurshëm dhe “Plazmat” e sotit: Si ta lajmë turpin tonë?

“Bozhuri” i dikurshëm dhe “Plazmat” e sotit: Si ta lajmë turpin tonë?

Dikujt i kujtohen vitet 1989-1990. Mes tjerash serbët patën formuar një organizatë të pistë propagandistike, të cilën e quajtën “Bozhur”. Dihet, duke pretenduar një simbol të Kosovës, në lule bozhurin – lulen e bukur të ngjyrës së gjakut.

Në atë kohë, njëri ndër llojet më të popullarizuara të duhanit, për masat popullore, ishin cigaret “Bozhur” që prodhoheshin në Kosovë dhe ishin cigaret më të shitura në vend. Kur serbët emëruan organizatën e tyre me atë emër, shqiptarët u mobilizuan. Brenda pak ditësh, ia arritën të bojkotonin këtë lloj duhani. Qindra mijëra duhanpirës – mes tyre, mbaj mend shumë mirë, axha im – e prenë si me thikë, pirjen dhe blerjen e cigareve “Bozhur”. Një prodhim gjigant, kollaptoi për disa javë dhe nga një artikull i kudondodhur, një pako “Bozhur”, u shndërrua në një gjë ekzotike në Kosovë.


Mund të thuhet shumëçka për këtë çfarë tregova. Mund të thoni: eufori, folklor, nacionalizëm i panevojshëm, gjest sipërfaqësor e të tjera si këto. Mund të thuhet madje edhe “pse të hiqnim dorë ne, simboli ishte yni, lulja ishte jona”… e të tjera. Mund të thuhet, debatohet, diskutohet pambarimisht., por ajo që desha të vë në pah me këtë kujtesë është: Mobilizimi! Aftësia e një populli për t’u mobilizuar. Për të reaguar. Për t’u përgjigjur kur e do nevoja. Aftësia e një bashkësie për të qenë unike për një çështje. Aftësia e një kombi për të prodhuar energji, elan, fuqi… pse jo edhe “eufori”. Aftësia e një populli që të jetë i sigurt se ia vlen të reagohet si kolektiv, si masë, si një trup. Që të japë një mesazh. Mesazh kundër dushmanit.

Dhe, mbase do të thoshit, pse të ra në mend kjo shenjë e së kaluarës? Çfarë nevoje kemi për të qenë në një mendje për diçka? Mund të thoni se ka ardhur koha e lirisë, e lirisë individuale, prandaj nuk kemi kurrfarë nevoje për aftësi të tilla mobilizuese, për energji të masave, për “eufori”…

Unë, pavarësisht se nuk jam njeri i turmave, mendoj se ne ende nuk e kemi luksin të mendojmë me mënyrën si mendojnë dhe veprojnë njerëzit që kanë shoqëri të etabluara dhe që u garantohen liritë individuale. Ne duhet të kemi ende ndjesinë për mobilizim. Jo për luftë, por për gjëra më të vogla. Por, fatkeqësisht, jam i bindur se kemi telashe për këtë. Në të vërtetë, unë mendoj se e kemi humbur çdo aftësi që të mobilizohemi për diçka. Sepse, dikush duhet të na thërrasë, p.sh. që ne të jemi unikë dhe të refuzojmë prodhimet e Serbisë (nuk ka nevojë për taksa që kthehen bumerang në shpinën e kërrusur të konsumatorit shqiptar). Nuk ka nevojë të grindemi me serbët për mallrat e tyre. Mobilizohemi dhe askush nuk i blen ato. Një gur e dy zogj.

Duke refuzuar prodhimet serbe, ne nuk e financojmë industrinë vrastare të serbëve dhe i bankrotojmë oligarkët tanë tregtaro-politikë që jetojnë nga prodhimet e tyre. Kaq e thjeshtë. Mirëpo, dikush duhet të na thërrasë. Kush është ajo apo ai që mund të na thërrasë dhe ne ta dëgjojmë, pa qenë në partinë e tij, pa pasur interes e as frikë nga ai?

Kush mund të na e lëshojë një zë dhe ne t’i përgjigjemi, si për duhanin që e përmenda, p.sh. kush duhet të na thërras për diçka dhe ne t’i përgjigjemi? Çfarë duhet të jetë ajo kauzë, me qëllim që ne të mobilizohemi dhe ta ofrojmë energjinë e duhur për ta jetësuar atë?

Akademikët? Jo (kjo madje është edhe qesharake).

Intelektualët tjerë? Jo (ata kanë dhënë shpirt në dyert e partive politike).

Partitë politike? Jo, vetëm militantët dhe borxhlinjtë e tyre do të mobilizohen.

Udhëheqësit e shtetit? Hahaha… jo more, kush del më për ta.

Bajraktarët, udhëheqësit fisnorë e fetarë? Jo, tashmë ajo lidhje është stërkequr, venitur e zhdukur.

Atëherë, çfarë mund ta mobilizojë energjinë e këtij populli tani?

Me fjalë tjera, sa për krahasim: Ibrahim Rugova ka pasur mundësi që me një thirrje të thjeshtë, t’i mobilizojë gjysmë milioni njerëz për një natë – për protesta, mosbindje civile, grevë apo për ndonjë nga metodat e saj.

UÇK, me një kushtrim, po ashtu ka pasur mundësi të mobilizojë qindra e mijëra shqiptarë – edhe për luftë, por edhe për mbështetjen e luftës, logjistikës, shtrim të rrugëve etj.

Edhe klasa intelektuale e patriotike ka pasur mundësi të mobilizojë masat.

Më herët: bajraktari, prijësi fisnor apo kryeplaku e ka lëshuar një thirrje apo një kushtrim dhe ka qenë i sigurt se do ta mobilizojë miletin.

Mirëpo…

Pas përvojës që patëm me prijësit e dy dekadave të kaluara, çka jua merr mendja?

Çfarë mund të na mobilizojë më?

Thirrjes së kujt i përgjigjet ky popull tani?

Kujt i beson më ky popull?

Pse, do të më pyesni. Botë moderne, kohë tjetër, konflikti i takon historisë, ndoshta do të thoshit.

Jo, jo dhe jo!

Duke e ditur kënd e kemi kojshi dhe duke ua ditur aftësinë e mobilizimit ushtarak e politik, por edhe përmes kishës ortodokse, ne nuk guxojmë të mbesim pa asnjë aftësi mobilizimi.

Prandaj, për shkak se, mes tjerash, kjo pari kriminale dhe qyqare e Kosovës, ka vrarë çdo besim në udhëheqje dhe ka prerë çdo energji të këtij populli për mobilizim – ajo (kjo klasë politike, pra), duhet të shkojë në theqafje sa më shpejt që është e mundshme. Nëse për asgjë tjetër, atëherë që të na mundësojë shërimin e plagëve të rënda, që kjo klasë kriminale ia ka shkaktuar kësaj shoqërie.

Po ashtu, që ta lajmë turpin tonë.

Dhe, turpi ynë klith kështu: Shumicën e shtëpive tona, që serbët na i kanë djegur dhe shkatërruar gjatë luftës, i kemi mbuluar prapë me tjegulla të prodhuara në Serbi.

Turpi!