LAJMI I FUNDIT:

Botohen poezitë që Mehmet Myftiu i shkroi në internim

Botohen poezitë që Mehmet Myftiu i shkroi në internim

Mehmet Myftiu boton për herë të parë poezitë që shkroi para 65 vitesh në internim. Vajza e tij, shkrimtarja Besa Myftiu, flet për rëndësinë e veprës së tij – për vlerat që i janë mohuar.

Në datëlindjen e 88-të, miqtë e tij do të kujtonin internimin e tij në kampin nazist në Prishtinë, e më tej internimin në periudhën komuniste në Shqipëri, ku lindi edhe romani “Shkrimtari” – i pari roman disident i Lindjes, për të cilin regjimi e dënoi si reaksionar.

Para 65 vitesh ai shkroi edhe poezitë, që për herë të parë dritën e botimin e shohin në këtë përvjetor.

“Nuk i dua thinjat” është libri me poezi i shkrimtarit që për 25 vite në diktaturë punoi në një kinkaleri si shitës cigaresh, vetëm se guxoi të kundërshtonte regjimin.

“Këto janë të vetmet poezi që ka shkruar babai. Gjysmën e tyre i ka shkruar në internim. Çuditërisht janë poezi për dashurinë. Sigurisht ka dhimbje, por janë poezi për rininë, nënën, gjyshen… Në ato ditë që babai ishte në internim ka menduar për të gjithë njerëzit e dashur edhe ua ka ditur vlerën. Unë i kam lexuar qëkur kam qenë adoleshente”, thotë e bija e tij, Besa. “Babai edhe internimin e nazistëve e edhe të komunistëve e ka jetuar me shumë heroizëm, duke u munduar që të gjejë një forcë shpirtërore në idealin e tij. Ai thoshte gjithmonë: unë nuk jam viktimë, unë e kam zgjedhur fatin tim”. /Shqiptarja/