LAJMI I FUNDIT:

Bota po shkon drejt pandemisë tjetër?

Bota po shkon drejt pandemisë tjetër?
Ilustrim

Teksa pandemia e Covidit-19 po shkon drejt një përballje me vaksinat, përballje të cilën pritet ta humbasë, shumë ekspertë në fushën e sëmundjeve infektive, janë fokusuar që tani në parandalimin e pandemisë së radhës. Ata druhen se një virus tjetër do të kalojë nga kafshët e egra tek njerëzit, një virus që mund të jetë shumë më vdekjeprurës, por që përhapet aq lehtë sa edhe SARS-CoV-2, lloji i koronavirusit që shkakton sëmundjen e Covidit-19. Një virus i tillë mund të ndryshojë trajektoren e jetës në planet, thonë ekspertët.

“Ajo që më mban zgjuar gjatë natës është mundësia që një tjetër koronavirus, si MERS, që ka një përqindje shumë më të lartë të vdekshmërisë, të bëhet po aq i transmetueshëm sa Covidi-19”, thotë Kristian Valzer, drejtor ekzekutiv i shëndetit në Shoqërinë e Ruajtjes së Kafshëve të Egra.


SARS-CoV-2 ka një normë mesatare të vdekshmërisë prej më pak se një për qind, ndërsa shkalla e vdekshmërisë për sindromën respiratore të Lindjes së Mesme, MERS – që përhapet nga devetë tek njerëzit – është 35 për qind. Viruse të tjerë që e kanë kapërcyer pengesën e specieve për njerëzit, të tilla si Nipah i prodhuar nga lakuriqët e natës, kanë një normë vdekshmërie deri në 75 për qind.

“Në natyrë ekziston një larmi e madhe e viruseve, ndaj ekziston mundësia që dikush të ketë karakteristikat e transmetimit para-simptomatik me një shkallë të lartë fataliteti”, thotë Raina Plourajt, studiuese e viruseve në Laboratorin Ekologjik “Bozeman Disease” në Montana të ShBA-së.

Kjo është arsyeja pse në nëntor 2020, Zyra e Jashtme Federale Gjermane dhe Shoqëria e Ruajtjes së Kafshëve të Egra, organizuan një konferencë virtuale të quajtur “Një Planet, Një Shëndet, Një Ardhmëri”, që synonte parandalimin e pandemisë së radhës, duke i ndihmuar udhëheqësit botërorë të kuptonin se viruse vrasës si SARS-CoV-2 – dhe shumë patogjenë të tjerë më pak vdekjeprurës – janë lëshuar në botë nga shkatërrimi i natyrës.

Shoqëria e Ruajtjes së Kafshëve të Egra – organizata më e vjetër e këtij lloji në SHBA e themeluar në 1895 – i është bashkuar 20 grupeve të tjera të ngjashme, për t’i kërkuar udhëheqësve qeveritarë “të kenë prioritet mbrojtjen e pyjeve të paprekura dhe ekosistemeve të tjera, dhe t’i japin fund tregtisë së kafshëve të egra”. Ekspertët parashikojnë se do të kushtojë rreth 700 miliardë dollarë zbatimi i këtyre masave. Nga ana tjetër, vlerësohet se Covidi-19 i ka shkaktuar botës 26 trilionë dollarë dëme ekonomike. Pushtimi në rritje i mjediseve natyrore, ndërsa popullata globale po rritet me shpejtësi, e bën një tjetër pandemi vdekjeprurëse dhe shumë më të keqe se Covidi-19.

Përhapja e viruseve shtazore ose zoonotike tek njerëzit, shkakton rreth 75 për qind të sëmundjeve infektive në zhvillim. Por, shumë viruse të panjohura, disa ndoshta shumë patogjene, banojnë në faunën e egër në të gjithë botën. Ekspertët e sëmundjeve infektive, vlerësojnë se në natyrë ka 1.67 milion viruse; dhe vetëm rreth 4.000 prej tyre janë identifikuar.

Viruset që kanë qarkulluar dhe pësuar mutacione në jetën e egër, sidomos nga lakuriqët e natës, që janë të shumtë në të gjithë botën dhe shumë të lëvizshëm, hidhen tek njerëzit, ku gjejnë një sistem imunitar të ndjeshëm, dhe shkaktojnë një shpërthim epidemik vdekjeprurës të sëmundjes infektive.

“Ne kemi depërtuar më thellë në zonat ekologjike, që nuk i kemi eksploruar më parë”, thotë Denis Keroll, ekspert i sëmundjeve infektive në Agjencinë e ShBA-së për Zhvillimin Ndërkombëtar. Ai po drejton një projekt për katalogimin e viruseve në jetën e egër, në mënyrë që të parashikojë se cilët mund të shkaktojnë pandeminë e radhës.

“Sektorët që duhen mbajtur nën vëzhgim, janë industritë fitimprurëse si ato të naftës, gazit, mineraleve, dhe zgjerimi i bujqësisë. Këta janë fushat kryesore nga ku mund ta ketë zanafillën pandemia e ardhshme”-thotë Keroll. /Burimi: Medicalxpress/Në shqip nga: Bota.al/