LAJMI I FUNDIT:

Bota na njeh prej dy telave të çiftelisë të Hava Bekteshit

Bota na njeh prej dy telave të çiftelisë të Hava Bekteshit

E rritur në një familje tradicionale shqiptare, ku tingujt e instrumentit të çiftelisë e shoqëruan gjithmonë. Edhe pse u largua në moshën 14 vjeçare drejt Gjermanisë duke lënë pas vendlindjen, Hava Bekteshi mori me vete nga vendlindja dashurinë për instrumentin e çiftelisë. Ajo rrëfen për Telegrafi Maqedoni gjithë rrugëtimin e saj, dikur si një mërgimtare ndërsa sot pjesëmarrëse nëpër eventet më të rëndësishme artistike. Bekteshi është nga Gostivari.

Intervistoi: Valon Osmani


Hava, je e rritur në mërgim, por luan me shumë dashuri në instrumentin e çiftelisë. Prej kur ke filluar ta mësosh këtë instrument?
Çiftelinë kam filluar ta mësoj kur kam qen shumë e vogël. I kam pasur ndoshta nëntë vite. Në atë kohë jetoja ende në Maqedoni!

Hava Bekteshi me çiftelinë e saj, si pjesë e korit.

Çfarë është çiftelia për ty?
Çiftelia është për mua një instrument unikat dhe i bukur shqiptar. Ky instrument na i ka ruajtur brez pas brezi traditat dhe kulturën tonë. Me këtë instrument është kënduar e gjithë historia e popullit shqiptar. Falë  çiftelisë na kanë mbetur në kujtesë të gjithë heronjtë dhe dëshmorët e kombit, sepse nën tingujt e telave të çiftelisë janë kënduar këngë për to. Gjithashtu çiftelia mund të quhet edhe si një instrument i veçantë sepse integrohet shumë lehtë edhe në bashkëpunim me instrumentet e tjera.

Çfarë roli ka luajtur familja tek ti në aspektin e ruajtjes së traditës së muzikës folklorike dhe traditave shqiptare në përgjithësi? 
Unë si fëmijë i vogël gjithmonë kam kënduar nëpër evente shkollore. E kam dashur shumë këngën. Familja luan gjithmonë një rol shumë të madh në çdo aspekt të jetës, duke na ndihmuar të kompletohemi si individ. Familja ime mund të them se është një familje që i kanë ruajtur traditat shqiptare dhe kanë kontribuar brez pas brezi për komb, atdhe dhe flamur. Vëllezërit e mi i bien çiftelisë dhe në lagjen time ku jam rritur unë, gati çdo djalë luante në këtë instrument. Edhe unë si fëmije, si një vajzë e vogël ashtu mu fiksua ta mësoj vetë, tingull pas tingulli. Thoja me vete pse veç djemtë i bien e vajzat jo? Edhe unë i kam dy duar dhe një kokë me vete si ato! Pastaj babai im sillte nga Gjermania vidoekaseta me këngë shqipe si p.sh. “Festivali i Gjirokastrës”. Aty e kam shikuar se si Fatime Sokoli këndonte dhe i binte çiftelisë dhe për gjithë njerëzit ajo ishte një heroinë. E ndoshta unë me atë mendjen time si fëmijë kam thënë: Tash edhe unë i bie çiftelisë, e do të bëhem një heroinë si Fatime Sokoli! Familja ime asnjëherë nuk më ka ndaluar të këndoj dhe ti bie çiftelisë, sidomos vëllai im i madhi i cili edhe ka qenë i burgosur politik më ka përkrahur dhe më ka marrë me vete nëpër shumë manifestime, kudo që janë mbajtur.

Hava Bekteshi me çiftelinë në dorë!

Na ke prezantuar denjësisht nëpër shumë evenimente artistike ndërkombëtare me këtë instrument, na trego pak më tepër për pjesëmarrjet nëpër disa filharmoni botërore? 
Po! E kam prezantuar çiftelinë dhe këngën shqipe nëpër shumë evenimente artistike, jo vetëm në Hamburg por edhe jashtë Hamburgut si p.sh në Venecia të Italisë, Lyon të Francës, Salzburg në Austri, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Berlin, München etj. Bashkëpunimet e mia kryesisht zhvillohem me artistë të huaj edhe ky është edhe qëllimi im sepse dua që ta njohin të huajt këtë instrument. Kam qenë pjesëmarrëse në projekte të ndryshme në kuadër të organizimeve me “Deutsches Schauspielhaus” (Shtëpia Teatrore Gjermane) poashtu kam marrë pjesë dhe në një pjesë teatrore të quajtur “Iphigenie”, këtu kisha një rol ku aktrova dhe poashtu këndova “Iphigenies” me çifteli.
Teksti i këngës ishte në gjuhën gjermane. Çiftelia është bërë edhe pjesë në disa shkolla gjermane ku me grupe nxënësish gjerman improvizojmë këngë shqipe në kombinimin elektro dhe çifteli, veç kësaj ka nxënës gjerman të cilët edhe këndojnë me mua së bashku në gjuhën shqipe. Janë tre festivale të rregullta që mbahen çdo vit këtu në Gjermani dhe unë aty çdo vit prezantoj çiftelinë por jo vetëm këtë, sepse tashmë jam dhe në një bashkëpunim me një grup muzikor gjerman ku e kemi kombinuar çiftelinë në stilin “Psychedolic Çifteli”. Me këtë grup kemi realizuar edhe dy këngë në këtë stil, tashmë këto bashkëpunime gjenden dhe në shitje, albumi ynë (Love Songs & Hava Bekteshi). Këtë vit kam filluar bashkëpunim dhe me një muziciente nga Vietnami me një eksperiment “Electro Çifteli”. Kam qenë pjesëmarrëse nëpër televizione gjermane ku kam folur dhe promovuar këtë instrument. Poashtu para ca viteve isha e ftuar në Universitetin e Salzburgut të performoj me çifteli. Çiftelia ime gjithashtu ka qenë edhe pjesë e një filmi që këto ditë u shfaq në “PriFest” Prishtina International Film Festival në Prishtinë. Në këtë film I cili quhet “The Sworn Virgin and the girl” kam luajtur melodinë me çifteli. Në Venecia të Italisë në vitin 2016 ishim një gupë mbi 60 veta nga Gjermania për të prezantuar Gjermanin në “Venice Architecture Biennale 2016“ këtu unë me një grup francezësh dy net radhazi prezantova këngë shqipe jo vetëm me çifteli por edhe këngë të lehta qytetare shqipe. Kulmi i gjithë prezantimeve të mia ndodhi këtë vit më 25 Maj, ku u bëra pjesë e një koncerti shumë madhështorë i quajtur “Stadtlied“ (Kënga e qytetit) në Elbphilharmoninë e Hamburgut, ku prezantova çiftelinë me një këngë shqipe me një tekst i cili flet për jeten time dhe  për prindërit e mi si mërgimtarë këtu në Hamburg. Në këtë projekt kanë qenë pjesëmarrës gjithë filharmonia e Hamburgut, orkestrat, tenorë të njohur, artistë e shumë njerëz të tjerë të ngritur artistikisht. Ky prezantim i imi la përshtypje aq të madhe saqë edhe një televizion gjerman si “RTL Nord” më përzgjodhi si protagoniste në programacionin e tyre dhe treguan një storie për mua aty me çifteli. Kam marrë pjesë dhe në “workshope” të ndryshme, por çka më la më shumë përshtypje ishte dita e parë kur i kishim provat gjenerale me të gjithë filharmoninë dhe këngëtarët, unë duke e akorduar çifteline veç kur e dëgjova dirigjentin, ai ktheu kokën dhe tha: “Woooow that a beautiful sound…” më pyeti pastaj edhe informacione shtesë për instrumentin e çiftelisë dhe unë i tregova, ai u befasua pozitivisht dhe i la tepër përshtypje tingulli i çiftelisë.

Si e perceptojnë të huajt instrumentin e çiftelisë, janë kurioz të dinë më shumë? 
Të huajt e përcaktojnë si një instrument shumë të bukur dhe interesant. Më pyesin dhe janë tepër kurioz të dinë shumë për këtë instrument. Ju pëlqen shumë tingulli dhe nuk ju besohet se ka vetëm 2 tela sepse tingëllon sikur ka më shumë. Shumica e marrin dhe e provojnë me i ra dhe gjithashtu edhe të ofrojnë bashkëpunime. Mund të them se shumë e  njohin çiftelinë dhe çdo herë kënaqem kur i dëgjoj se si e shqiptojnë fjalën “Çifteli”.

Cilin rapsod e sheh si shembull sa i përket teknikës se si luan me instrumentin e çiftelisë? 
Nga teknika se si luan me çifteli më pëlqen shumë kolegu dhe miku ime shumë i nderuar Fatmir Makolli. Çdoherë më këshillon dhe mësoj shumë prej tij dhe e falënderoj shumë! Gjithashtu më pëlqen edhe Ndue Shyti që ka qenë dhe do të mbetet për mendimin tim i pazëvendësueshëm, një maestro i vërtetë. Mund ta përmendi dhe Behar Neli një instrumentist nga Shqipëria i cili është jashtëzakonisht i fortë në teknikën se si luan me çiftelinë.

Cili është momenti kulminant i karrierës tënde? 
Pjesëmarrja ime në Elbfiilharmoninë e Hamburgut ishte deri tani definitivisht një moment kulminant dhe i paharruar në karrierën time. Një eveniment shumë profesional, një koncert i mrekullueshëm, një publik i madh, salla e koncertit, reportazhet në televizionet gjermane, gjithçka ishte e përkryer. Vërtetë diçka që më bën shumë të ndjehem krenare që prezantova një copë Shqipërie aty në atë sallë me një publik gjigant. Dua edhe ta përmendi që gjithë mundi im dhe kontributi që jap, e bëj vetëm për një qëllim, për tu njohur çiftelia gjithandej në botë si një instrument tipik shqiptarë.

Hava Bekteshi e ftuar në studio televizive

Planet e tua për të ardhmen? 
Promovimi i çiftelisë do të vazhdojë të mbetet kryesori, siç ka qenë gjithë këto vite. Planifikoj pjesëmarrje nëpër festivale të ndryshme dhe envenimente, bashkëpunime me muzicientë të huaj të zhanreve të ndryshme. Gjithashtu edhe plane apo projekte të tjera për të cilat ende është herët për të folur më gjerësisht. Por shpresoj që sidomos vitin që vjen të realizohen shumë gjëra të bukura që ti bëj krenarë shqiptarët e mi. Gjithashtu mendoj t’i realizoj disa këngë të reja në një stil në kombinim me çifteli. Pra të jemi pikë së pari shëndosh e mirë, pastaj me punë dhe kohë shpresoj të arrijë t’i realizoj të gjitha planet që i kam. Kam shumë ide dhe plane që po më presin.

Një mesazh drejtuar të gjithë atyre të cilët sikur kanë filluar ti harrojnë traditat shqiptare? 
Një mesazh të gjithë shqiptarëve kudo që janë por sidomos atyre që jetojnë në mërgim. Mos harroni pikë së pari gjuhën shqipe sidomos prindërve ju them punoni me fëmijët tuaj që të mësojnë shqip, sepse kudo që jetoni gjuha shqipe është gjuhë amtare, gjuhë e nënës dhe është baza e gjithçkaje. “Ushqeheni” me kulturë dhe traditë shqiptare dhe kurrë mos harroni se nga i keni rrënjët. Nuk them që do çdokush tash të mësojë çiftelinë por kjo është veç një shembull i vogël se si mund ta prezantosh vendin tënd. Shpesh herë kam përshtypjen se ne turpërohemi në vend që të mburremi me vlerat tona kombëtare dhe tradicionale./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Drejtësi
A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

Lajme
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Gjenden pa shenja jete dy persona, njëri në Fushë Kosovë e tjetri në Prishtinë

Gjenden pa shenja jete dy persona, njëri në Fushë Kosovë e tjetri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Von Cramon: Nuk ekziston më arsyeja për masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës

Von Cramon: Nuk ekziston më arsyeja për masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës

Lajme
​Osmani për fjalimin e saj në KS të OKB-së: E kemi thënë të vërtetën

​Osmani për fjalimin e saj në KS të OKB-së: E kemi thënë të vërtetën

Politikë
Kalo në kategori