LAJMI I FUNDIT:

BOTA, DELJA E ZEZË, KALI DUKE PËRFYTYRUAR ZOTIN DHE GJASHTË TË TJERËT

BOTA, DELJA E ZEZË, KALI DUKE PËRFYTYRUAR ZOTIN DHE GJASHTË TË TJERËT

Tregime të shkurta nga: Augusto Monterroso
Në shqip: Erion Karabolli

GJASHTË TË TJERËT


Gojëdhëna thotë se para disa viteve, në një vend të largët, jetoi një Buf, i cili me forcën e mendjes, duke i qorruar sytë prej studimit, duke u përsiatur, duke përkthyer, duke mbajtur konferenca, duke shkruar poezi, tregime, biografi, kronika kinematografike, ligjërata, ese letrare dhe disa gjëra të tjera, praktikisht arriti ta dinte e ta trajtonte gjithçka, në çdo fushë të njohurive njerëzore, në mënyrë aq të shquar, saqë bashkëkohësit e tij entuziastë shumë shpejt e shpallën një nga Shtatë të Diturit e Vendit, pa u arritur të dihet, as sot e kësaj dite, se kush ishin gjashtë të tjerët.

***

KALI DUKE PËRFYTYRUAR ZOTIN

“Sido që të thonë, ideja e një qielli të banuar nga Kuajt dhe të udhëhequr nga një Zot me pamje kali është diçka e neveritshme për shijen e mirë dhe logjikën e thjeshtë”, përsiaste para disa ditësh Kali.

“E tërë bota e di” – vazhdonte me arsyetimin e vet, “se, në qoftë se ne Kuajt do të ishim të aftë ta përfytyronim Zotin, do ta përfytyronim me pamjen e Kalorësit”.

***

DELJA E ZEZË

Para shumë kohësh, në një vend të largët, jetonte një Dele e zezë.

E pushkatuan.

Një shekull më vonë, kopeja e penduar i ngriti një statujë kalorësiake që qëndron tërë hijeshi në park.

Kësisoj, në vazhdim, sa herë që shfaqeshin dele të zeza, viheshin menjëherë para togës së pushkatimit, me qëllim që edhe brezat e ardhshëm të deleve të rëndomta e të zakonshme të kishin mundësi ta ushtronin skulpturën.

***

BOTA

Zoti nuk e ka krijuar ende botën; thjesht po e përfytyron, ashtu si në ndajëndërr. Prandaj bota është e përsosur, por e turbullt.