LAJMI I FUNDIT:

Bosnja ia ndalon hyrjen shkrimtarit nacionalist rus, Zakhar Prilepin

Bosnja ia ndalon hyrjen shkrimtarit nacionalist rus, Zakhar Prilepin

Autoritetet në Bosnjë dhe Hercegovinë i kanë ndaluar hyrjen në këtë shtet shkrimtarit rus, Zakhar Prilepin, duke shkaktuar zemërim te liderët e serbëve të Bosnjës dhe Ambasadës ruse në Sarajevë.

Në një deklaratë të lëshuar më 23 gusht, Ambasada ka shprehur “shqetësim dhe zhgënjim”, duke kërkuar sqarim nga Ministria e Jashtme e Bosnjës.

Lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, ka thënë se ndalimi i Prilepinit është i “turpshëm dhe i drejtuar kundër miqve të Republikës Serbe të Bosnjës”.


Prilepin kishte planifikuar të merrte pjesë në një ngjarje të letërsisë më 24 gusht në Banja Llukë. Ai i ka thënë agjencisë ruse të lajmeve Sputnik, se kur ka tentuar të hyjë në kufi, atij i është prezantuar një dokument në të cilin thuhej se i është ndaluar hyrja në Bosnjë meqë “përbën kërcënim për sigurinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare” në këtë shtet.

Prilepin është i lidhur me separatistët e mbështetur nga Rusia që luftojnë kundër forcave qeveritare në lindje të Ukrainës.

Shkrimtari rus ka thënë se ai mendon që ndalesa mund të jetë lidhur me përfshirjen e tij në konfliktin e vazhdueshëm në rajonet ukrainase, Donetsk dhe Luhansk.

Luftimet në këtë pjesë të Ukrainës kanë lënë të vdekur më shumë se 10,300 persona prej kur ka nisur konflikti më 2014. /REL/