LAJMI I FUNDIT:

Borgesi, Papa Françesku dhe tango

Borgesi, Papa Françesku dhe tango

Nga: Gjergj Meta

Kushedi pse fjala “Tango” më sillte ndërmend dy fjalë të tjera, “kitarë” dhe “kërcim”. Ndër to, e duhura ishte vetëm fjala “kërcim”. Kitara as nuk kishte të bënte me tangon fare. Ndoshta fakti që çdo kërcim latino-amerikan e lidhja me kitarën ishte ngulitur aq thellë saqë edhe tangoja nuk bënte përjashtim.


Por, le të kthehemi te tri fjalët e titullit të këtij shkrimi: Borges, Papa Françesku dhe tangoja. Nuk di tani të them se cila prej këtyre fjalëve u bë shkas që unë të mendoj për dy të tjerat. Gjithsesi, ka dy momente kur këto tri realitete lidhen me njëri-tjetrin. Kur Papën, ndër intervistat e tij të para, e kanë pyetur për interesat e tij letrare e kulturore, Bergoglio ka përmendur emrin e Jorge Luis Borgesit.

Mediat në atë kohë sollën një episod interesant. Jorge Luis Borges dhe Jorge Mario Bergoglio janë takuar një herë në vitin 1965 kur jezuiti i ri 28-vjeçar (akoma nuk ishte prift) e kishte ftuar Borgesin 60-vjeçar në shkollën e tij që të fliste për letërsinë “gaucho”. Nga ai takim kanë lindur dy vëllime me tregime nga nxënësit e Bergoglios dhe Borgesi ka bërë parathënien e tyre. Po nga ky takim ka lindur një simpati e Borgesit për Bergoglion (dhe jo një “miqësi e madhe”, sikurse disa nxituan të thoshin kur Bergoglio u zgjodh Papë). Kjo është histori.

Me siguri një jezuit që ka simpati kaq të madhe për agnostikun Borges, tregon edhe një qasje të veçantë të Papa Françeskut qysh herët. Këto miqësi nuk janë edhe aq të rralla për të. Në jetën e Kishës, këto miqësi kanë shënuar edhe paradigma kulturore interesante, sikurse fjala vjen “Katedra e jobesimtarëve” e ngritur në Milano nga Arqipeshkëvi i Milanos, Kardinal Martini, apo “Oborri i paganëve” – nismë e Dikasterit Vatikanas për kulturën nën frymëzimin e Kardinal Gianfranco Ravasit.

Po tangoja? Pyetjes së gazetarit Fabio Fazio në RAI3 se çfarë muzike i pëlqen, Papa Françesku i përgjigjet tekstualisht: “Është e vërtetë që dëgjoj muzikë. Më pëlqejnë shumë klasikët. Edhe tango më pëlqen shumë. Një porteño që nuk kërcen tango nuk është një porteño”. Kështu Papa, si një porteño, d.m.th, banor i Buenos Airesit, na tregon se kërcen edhe tangon. Nuk ka në fakt një dëshmi deri tani, as me video, as me foto, të një kërcimi tango të Papës kur ka qenë në Argjentinë, por nga fjalët e tij e presupozojmë. Ka një legjendë në lidhje me tangon dhe fenë.

Kur donin të fusnin tangon në Itali, thuhet se kanë përfshirë edhe Papën Piu X dhe i kanë propozuar të shohë një vallëzim tango. Papa e paska parë dhe paska thënë që është një kërcim amoral e që duhet të zëvendësohet me një vallëzim sicilian, La furlana. Gjithsesi, bëhet fjalë për një rrenë gazetareske të kohës, por që tregon se si ky kërcim, kur ka hyrë në Evropë, kryesisht nëpërmjet Parisit dhe periferive të tij, ku jetonin emigrantë argjentinas, nuk është pritur shumë mirë nga klasat e larta, pasi mendohej si një vallëzim imoral. Duket së është një fakt historik ama që Gulielmi II, Kaizeri i Gjermanisë, ua kishte ndaluar këtë vallëzim oficerëve, pasi, sipas tij, nuk i përshtatej uniformës. Në fakt, oficerët e kërcenin pa uniformë.

Këto informacione i jep Borgesi në librin e tij “El Tango”. Kur e pashë në librari, mendova se do të ishte një libër që merrte shkas nga tangoja për të treguar diçka tjetër. Nga titulli e pashë më shumë si një metaforë, por në fakt ishte një libër pikërisht për kërcimin tango. Një libër i bërë nga disa emisione radiofonike të Borgesit në vitin 1965 (pikërisht viti kur ka takuar Bergoglion) ku ai flet për historinë e tangos. Gjëja interesante e këtij libri është se nëpërmjet kërkimeve të tij rreth etimologjisë së fjalës dhe origjinës së këtij kërcimi, Borgesi na jep një portret të shoqërisë argjentinase dhe më gjerë, të personazheve të kohës si “compadritos”, “gaucho”-ve, “criollo” etj. Më shumë sesa një libër mbi muzikën tango dhe vallëzimin, është një libër antropologjik me një diapazon shumë të gjerë. Sikurse në tregimet e tij, ashtu edhe në këto emisione Borgesi tregon se përveçse një shkrimtar është edhe një lexues i kujdesshëm dhe i thellë i letërsisë së të gjitha kohërave dhe vendeve.

“Tangoja është një mendim i trishtë që kërcehet”. Edhe pse Borgesi nuk është dakord krejtësisht me këtë sentencë të mikut të tij Ernesto Sabatos, ai e lidh tangon me shumë përmasa të jetës si vdekja dhe dyluftimi, guximi dhe joshja. E vërteta ndër rreshta të librit është se Borgesi një trishtim e ka. Ai mbetet ithtar i tangos origjinale dhe nuk pranon assesi prurjet dhe evolucionin e saj në kohe, madje as nga muzikantë si Gardel, Contursi apo Filiberto. Një Borges melankolik e deri diku dashurues i mitit më shumë se i realitetit. Gjithsesi, si për çdo gjë të Borgesit, duket sipërfaqësor vlerësimi: “Ia vlen ta lexosh”. Pavarësisht kësaj, vërtet ia vlen ta lexosh “El Tango”-n e Borgesit ndërkohë që në sfond mund të kesh një muzikë po tangoje, nga ajo me tekstet e vetë Borgesit, fjala vjen “El Tango: Piazzolla – Borges”.