Presidenti amerikan Donald Trump do t'u kërkojë vendeve që duan t'i bashkohen "Bordit të Paqes" të tij për të mbikëqyrur Gazën, të paguajnë 1 miliard dollarë për anëtarësim, sipas raportimeve nga Bloomberg dhe The Atlantic.

Një draft i statutit i parë nga të dyja mediat tregoi se Trump do të shërbejë si kryetar i parë i bordit ekzekutiv, i cili do të miratojë se cilat shtete anëtare mund të bashkohen në bord.


Bordi do të bëhet zyrtar pasi tre shtete anëtare të bien dakord për statutin, shkruan the Hill.

“Çdo shtet anëtar do të shërbejë për një mandat jo më të gjatë se tre vjet nga hyrja në fuqi e kësaj Karte, me mundësi rinovimi nga kryetari”, thuhet në draft, sipas Bloomberg.

“Anëtarësimi trevjeçar nuk do të zbatohet për shtetet anëtare që kontribuojnë më shumë se 1,000,000,000 dollarë amerikanë në fonde në para të gatshme për Bordin e Paqes brenda vitit të parë të hyrjes në fuqi të Kartës”, shton ai.

Shtetet anëtare do të jenë në gjendje të votojnë për vendimet e bordit, por Trump do të ketë autoritetin e vetëm për t'i miratuar ato.

Mbetet e paqartë se çfarë do të financohet nga 1 miliard dollarët për anëtarësim.

Ndryshe, bordi u krijua për të mbikëqyrur dhe zbatuar planin 20-pikësh të paqes të Trump në Gaza, i cili u vendos pasi Izraeli dhe Hamasi arritën një armëpushim për t'i dhënë fund një konflikti të përgjakshëm dyvjeçar në Rripin e Gazës.

Trump njoftoi së fundmi se Faza 2 e planit të paqes kishte filluar, e cila kërkon që Hamasi të çarmatoset dhe Izraeli të tërheqë forcat e tij nga Gaza.

Trump tha se bordi u formua këtë javë, duke njoftuar më vonë se Sekretari i Shtetit Marco Rubio, i dërguari special Steve Witkoff, dhëndri i tij, Jared Kushner, ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Tony Blair, presidenti i Bankës Botërore Ajay Banga dhe investitorët miliarderë Robert Gabriel dhe Marc Rowan do të jenë në bord.

Shtëpia e Bardhë ftoi edhe presidentët e Turqisë, Argjentinës dhe Egjiptit e Shqipërisë të bashkoheshin me bordin. /Telegrafi/