LAJMI I FUNDIT:

Bordi i AKK-së që 11 muaj jofunksional – Qeveria ia dorëzon Kuvendit listën me emrat

Bordi i AKK-së që 11 muaj jofunksional – Qeveria ia dorëzon Kuvendit listën me emrat

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës si institucion i rëndësishëm për rregullimin e tregut në Kosovë, ka rreth 11 muaj që nuk është funksional dhe kjo për shkak të mungesës së Komisionit Kosovar të Konkurrencës. Qeveria i kishte propozuar por më pas i kishte tërhequr emrat e anëtarëve potencialë të këtij komisioni me arsyetimin se vendimi i Qeverisë për emërimin e anëtarëve ishte i paligjshëm.

Por, Qeveria tashmë e ka plotësuar listën me emrat e anëtarëve dhe ia ka dorëzuar Kuvendit për miratim.


Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

“Nga ai moment, Qeveria ka plotësuar listën e anëtarëve të propozuar për Komisionin për Mbrojtjen e Konkurrencës. Tani i takon Kuvendit që t’i trajtojë propozimet e Qeverisë dhe ne presim që kjo të ndodhë sa më parë”, ka thënë ai.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës

Pranimin e kësaj liste e ka konfirmuar Drejtoria për media e Kuvendit të Kosovës.

Në përgjigjen e tyre për Telegrafin thuhet se miratimi i këtyre emrave ka qenë në rend dite në seancën plenare të 5 majit, e cila është ndërprerë për shkak të mungesës së kuorumit.

“Referuar pyetjes suaj, ju njoftojmë se Qeveria e Kosovës i ka dërguar në Kuvend emrat e kandidatëve në Komisionin për Mbrojtjen e Konkurrencës. Miratimi i këtyre emrave ishte pikë e rendit të ditës së seancës plenare të 5 majit 2022, e cila ishte ndërprerë”, kanë thënë nga Kuvendi.

Tutje, thuhet se për vazhdimin e kësaj seance, pritet të vendos Kryesia e Kuvendit në një nga mbledhjet e radhës.​

Emrat e propozuar nga Qeveria për Komision Kosovar të Konkurrencës janë: Neime Binaku-Isufi (kryetare), Kaltrina Sela (zëvendëskryetare), Violeta Jakaj-Spaqi (anëtare), Besim Stublla (anëtar) dhe Nafije Osdautaj (anëtare).

Kuvendi i Kosovës

Mosfunksionimi i këtij autoriteti ka shkaktuar dëme të mëdha në treg. Kjo pasi ligjërisht i pamundësohet institucionit që të gjobisë kompanitë, të cilat shkelin normat e tregut të përcaktuara me ligj.

Drejtori i AKK-së, Sakip Imeri, në një prononcim për Telegrafin tha se janë në monitorim të vazhdueshëm të disa artikujve bazikë ushqimorë.

“Fokusi i AKK-së është të shoh nëse ka marrëveshje të fshehta. Ato janë vështirë të identifikohen sepse bizneset nuk bëjnë marrëveshje me shkrim që mund të ketë fakte. Megjithatë, nuk kemi vërejtur që ka marrëveshje mes kompanive për ta çrregulluar tregun. Jemi në monitorim dhe kemi parandaluar disa kartele për t’u krijuar”.

Ai theksoi se vetëm gjatë këtij viti kanë pranuar mbi 230 ankesa nga qytetarët, por shtoi se mosfunksionimi i komisionit po u paraqet shumë problem, pasi nuk mund të shqiptojnë asnjë gjobë.

“Gjoba shqiptojmë kur merr vendim komisioni, por komision nuk kemi që 11 muaj. Mosfunksionimi i tij po na paraqet problem. Mbi 230 kërkesa gjatë këtij viti i kemi trajtuar. Ne tash i kemi vendosur në monitorim disa raste dhe kur vjen komisioni ua prezantojmë raportet”, tha Imeri, duke shtuar se problem të madh po u paraqet edhe mungesa e inspektorëve.

Sakip Imeri, drejtor i AKK-së

“Kemi mungesë të kapaciteteve, pra inspektorëve, jemi staf i vogël. 11 jemi në Departamentin e Tregut. Kjo po na paraqet problem”.

Ndryshe, buka, vaji ushqimor, qumështi dhe energjia elektrike janë produktet me rritjen më të madhe të çmimeve.

'Fluturojnë' çmimet në Kosovë – buka, vaji, qumështi dhe rryma me rritjen më të madhe
Lexo po ashtu 'Fluturojnë' çmimet në Kosovë – buka, vaji, qumështi dhe rryma me rritjen më të madhe

Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), brenda një viti, ngritja e çmimit të vajrave dhe yndyrave ushqimore ishte më e madhja me 51.3 për qind, pasuar nga buka me 24.3 për qind, shkruan Telegrafi.

Po ashtu, rritje të theksuar të çmimeve ka pasur edhe qumështi, djathi e vezët me 21.7 për qind dhe energjia elektrike me 17.6 për qind.

Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin prill ka arritur në 11.2 për qind. /Telegrafi/