Në kuadër të programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, të zbatuar nga FAO me mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe Suedia, është publikuar episodi i tretë i serisë së podcasteve “Duaj e Ruaj Pyjet”.

Edhe pse Kosova ka nevojë urgjente për profesionistë të pylltarisë, dhjetëra të rinj të diplomuar në këtë fushë mbesin të papunë për shkak të politikave të pafavorshme dhe mungesës së zbatimit të ligjit.


Kështu vlerëson prof. Faruk Bojaxhi nga Universiteti i Prizrenit, duke ngritur shqetësimin për mospërputhjen mes arsimit dhe tregut të punës në sektorin pyjor.

Sipas Bojaxhit, gjatë tetë viteve të fundit janë diplomuar rreth 60–70 studentë në Shkencat e Pyjeve, ndërsa institucionet publike kanë punësuar vetëm dy prej tyre, pavarësisht mungesës së theksuar të stafit profesional në agjencitë dhe drejtoritë pyjore.

“Ka drejtori rajonale që nuk kanë asnjë inxhinier pylltari, ndërkohë që studentët tanë diplomojnë dhe mbesin pa punë. Nevojat ekzistojnë, por ligji nuk zbatohet,” thotë Bojaxhi shkruan Telegrafi.

Një nga pengesat kryesore, sipas tij, është kërkesa ligjore për përvojë pune trevjeçare edhe për pozita fillestare.

“Është absurde t’i kërkosh përvojë pune një të riu që sapo ka diplomuar, sidomos në një sektor ku nuk ka kompani private të mjaftueshme për ta fituar atë përvojë,” thekson profesori.

- YouTube www.youtube.com

Ai shton se kjo situatë jo vetëm që demotivon të rinjtë të zgjedhin studimet në pylltari, por rrezikon drejtpërdrejt edhe menaxhimin e pyjeve dhe mbrojtjen e mjedisit në Kosovë.

“Ligjet ekzistojnë dhe janë të harmonizuara me Bashkimin Evropian. Problemi është se ato nuk zbatohen. Nëse do të zbatoheshin, Kosova nuk do të kishte krizë të kuadrove në pylltari,” përfundon Bojaxhi.

Ky podcast është pjesë e serisë së podcasteve të programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, të zbatuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi – FAO. Video është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Suedisë. Përmbajtja e saj nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e Bashkimit Evropian dhe Suedisë./Telegrafi/.