LAJMI I FUNDIT:

Bohemi i fundit i qytetit pa lumë

Bohemi i fundit i qytetit pa lumë

Nga: Halil Matoshi

Mirko Gashi, e trembi pikëllimin nga druni i jetës… Në Arbor Vitae, në atë dru të premë kahmot, e aziloi shpirtin…


1.

Poezia “Liria” shquhet për figurshmëni të begatshme, sidomos për metaforë dhe metonimi.

Autori, duke u nisë nga traditat ballkanike e shqiptare të heroit mitik, i cili jeton dhe vdes i lirë, pa e pranue që të lidhet as para togës së pushkatimit, por as me lulakun e djepit.

Lumi, heroi lirik i poetit (i biri) âsht sinonim i këtij njeriu të lirë, i cili lind në epokën e robnisë, për me mallku yje e me shkatrru nyje.

Poeti i kēndon ni ditiramb fëmijës që me brishtësinë e vet, as në muejn e tij të tetë nuk pranon me u lidhë në djep!

Ni qenie ende e palindun, frymon në lirinë e saj, njësoj sikur i bân tetë muej në jetë, tue mos e pranu robnimin e qenies së tij kolektive!

2.

Poeti Gashi në vitet 1990, nga ni poet i përkushtuem në poezi, u aktivizu në jetën publike të ni “shoqnie paralele” e cila, pos rezistencës në jodhunë, aplikoi edhe rezistencën përmes artit.

Tue u marrë me letrat e Friedrich Schilerit, mbi edukimin estetik të njeriut, estetët Samantha Matherne dhe Nick Riggle (The British Journal of Aesthetics) shkruejnë se filizofi gjerman tërheq një lidhje të mrekullueshme midis vlerës estetike dhe lirisë individuale dhe politike, duke pretendue se “njeriu vetëm përmes bukurisë bân rrugën e tij drejt lirisë”.

Simas tyne, teoria e Shillerit nxjerr përfundimin se vlera estetike është e vetmja rrugë drejt lirisë individuale.

Schiler mbron një teori jo-hedoniste të vlerës estetike komunitare, të orientueme drejt veprimit për me e mbrri lirinë.

Schileri angazhohej për një teori të lirisë që e bën estetikën, jo thjesht mbinjerëzore por jetike për jetën plotësisht autonome.

3.

Poeti i shiut shikoi nga dritarja për të mbramën herë, në çastin solemn, përtej asaj dritarje që e lidhte me dheun, pranë drurit të jetës pau një çift dashnorësh dhe buzëqeshi. Mbylli dritaren.

“Në shpatin e Dragodanit ishte një dru që i binte karshi dritares sime dhe sa herë e hapja atë, aty shikoja çifte të rinjsh tek loznin vallen e dashurisë. Librin e parafundit e titullova ‘Arbor Vitae’ (Druri i jetës) si monument të atij druni të cilin derisa po ballfaqohesha me korbin, një dorë nate e kishte pre… Por, ai dru u përjetësue në poezi, ai vazhdon të jetojë. Nga ai pikon shi dhe puthje…” – më kishte thânë Mirku rreth një muej ditë ditë para se me ikë përgjithmonë. Qante e qeshte dyzash, shante e mallkonte dhe prapë qante për Lumin e munguar.

4.

Dhe epitafi i tij i gdhendur në njatë monument (Arbor Vitae) ishte:

“Në kohën kur të vërshon gëzimi
Në vorbullën e tij është pikëllimi…”

Ky është andaj i fundit shkrim, shi e shi – vërshimë lotësh mbi fletën e bardhë – testamenti estetik i poetit.

5.

Bohemi i fundit i qytetit pa lumë.

Poeti Mirko Gashi me Lumin përdore, tue sfudu shtetrrethimin më 1989, diku në Dardani (foto nga: Muharrem Mjeku)

***

LIRIA

Poezi nga: Mirko Gashi

(Sugarit tim, Lumit)

Eu, çfarë djali kam
eu, çfarë Lumi kam
Sa kafshata,
sa një pëllëmbë,
S’e ka mjekrën
S’ka as dhëmbë
Mallkon yje,
Shkatërron nyje.
Në muajin e vetë të tetë,
S’don të lidhet në djep.