Bogujevci: Procesi i zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit është i qartë, opozita po bllokon me qëllim

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, ka reaguar ndaj bllokimit të procesit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se procedurat janë të përcaktuara qartë në rregulloren e Kuvendit dhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Në një deklaratë për mediat, Bogujevci tha se opozita po e pengon qëllimisht funksionimin institucional duke shmangur votimin, i cili është një obligim procedural.
“Është rregullorja e Kuvendit që përcakton shumë qartë procesin. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e thotë shumë qartë: mund të votohet në dy forma – në të hapur dhe në të fshehur,” theksoi ajo.
Sipas Bogujevcit, opozita nuk po respekton rregullat dhe po e përdor bojkotin si mjet bllokues: “Duhet t’i respektojmë procedurat. Njëra ndër to që është dashtë të respektohet nga opozita është votimi – dhe duhet të votohet. Ky është problem shumë i madh”.
Deklaratat e Bogujevcit vijnë në një klimë politike të tensionuar, pas shtyrjes së seancës për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, e cila ishte planifikuar të mbahej më herët gjatë ditës, por u shty për shkak të një alarmi të rremë për bombë.


















































