“Blobbing” në Zvicër, e hedhin 28 metra në ajër dhe thyejnë rekordin botëror

Një ekip prej katër personash ka vendosur një rekord të ri botëror në “blobbing”, pasi njëri prej tyre u katapultua më shumë se 28 metra në ajër mbi një liqen në Zvicër.
Ngjarja spektakolare u zhvillua më 9 gusht në Brunnen, Schwyz, ku zviceranët Robin Steiner dhe Luc Siegenthaler, gjermani Lennart Florczak dhe amerikani Tristan Kuhn u bashkuan për tentativën rekord.
Tre prej tyre u hodhën njëkohësisht mbi një jastëk gjigant ajri lundrues, duke krijuar forcën e nevojshme për të katapultuar Robin Steiner-in në ajër, transmeton Telegrafi.
Steiner arriti një lartësi maksimale prej 92.58 këmbësh, ose rreth 28.2 metrash, duke thyer me diferencë të madhe rekordin e mëparshëm Guinness prej 72 këmbësh e 2.14 inçësh, të vendosur në vitin 2012.
Adrian Baumann, nga kompania Paintball Farm, tregoi se Steiner kishte marrë pjesë për herë të parë në një aktivitet të tillë rreth katër vite më parë dhe menjëherë kishte treguar talent të veçantë.
“Atij i pëlqeu menjëherë dhe e kuptuam shpejt se kishte një talent të jashtëzakonshëm”, tha Baumann.
Që atëherë, Steiner ka marrë pjesë rregullisht në aktivitetet e “blobbing”, derisa lindi ideja për të provuar rekordin botëror.
Me fluturimin prej më shumë se 28 metrash mbi sipërfaqen e ujit, Steiner jo vetëm që vendosi një rekord të ri, por e ngriti ndjeshëm standardin për këtë sport ekstrem, ku koordinimi i saktë mes pjesëmarrësve është thelbësor për të arritur lartësi të tilla. /Telegrafi/




































