LAJMI I FUNDIT:

Bllokohet Milano, 16 milionë qytetarë në izolim – radhë të gjata para marketeve

Bllokohet Milano, 16 milionë qytetarë në izolim – radhë të gjata para marketeve

Italia është duke mbyllur rajonin më të banuar dhe më të pasur, në të cilën qarkullon paraja më e madhe – Milano. E tëra kjo po bëhet për të parandaluar përhapjen e epidemisë së coronavirusit.

16 milionë njerëz do të futen në izolim, kurse në Milano tashmë mund të shihet se si rrugët janë të zbrazëta dhe nuk ka lëvizje. Në anën tjetër, qytetarët ia kanë mësy marketeve për t’u furnizuar me artikuj të ndryshëm ushqimor, pasi pritet të ketë mungesë të tyre, transmeton Telegrafi.


Rregullat e reja ua ndalojnë qytetarëve të futen dhe të dalin nga Lombardia, rajon ky në të cilin jetojnë rreth 10 milionë njerëz. Masa të tilla do të aplikohen edhe në 11 provinca tjera.

Të gjithë ata që janë gjetur jashtë zonës në momentin kur është futur në fuqi kjo ndalesë, kanë mundur të kthehen në shtëpitë e tyre. E ata që nuk janë banorë të kësaj zone, në mesin e tyre edhe turistë – duhet të largohen. Brenda zonës së futur në karantinë lëvizjet duhet të jenë të kufizuara.

Forcat e rendit mund të kërkojnë nga çdo person që dëshiron të largohet nga zona të arsyetoj veprim e tij , për shembull nëse posedon dokumentet e mjekut apo të punëdhënësit.

Nuk ka ndonjë kufizim të veçantë në transportin publik përveç se duhet të respektohen masat e sigurisë ku personat duhet të qëndrojnë të paktën një metër larg njëri-tjetrit.

Marketet janë të hapura, por edhe aty duhet të respektohet siguria e distancës. Qendrat tregtare dhe tregjet do të duhej të qëndronin të mbyllura për fundjavë, por jo edhe barnatoret dhe marketet me artikuj ushqimorë –edhe aty duhet respektuar siguria e distancës.

Në rast se nuk respektohen këto masa, autoritet mund t’i dënojnë qytetarët – me arrestim deri në tre muaj apo me gjoba nga 206 euro.

Të gjithë muzetë, palestrat, qendrat kulturore, pistat e skijimit e pishinat do të jenë të mbyllura në këto zona, thuhet në dekretin që është dashur të hyjë në fuqi të shtunën, por që është shtyrë pasi politikanë lokalë kanë kërkuar me shumë kohë për të shqyrtuar masat e kufizimit.

Karantina do të duhej të zgjaste deri më 3 prill, ku jeta e përditshme e 16 milionë italianëve do të vëzhgohej nga afër nga ekspertët e shëndetësisë. /Telegrafi/