Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar ashpër qeverinë në detyrë, duke thënë se ka refuzuar ofertën e LDK-së për krijimin e një qeverie uniteti, e cila sipas tij do të mundësonte kapërcimin e krizës institucionale dhe financiare.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Abdixhiku deklaroi se oferta për unitet ishte një mundësi reale për bashkim politik dhe për zgjidhjen e ngërçit, por u injorua nga Vetëvendosje.


“Sikurse e dini, ju ofruam unitet, por e refuzuan. U tallën me qeverinë e unitetit. Jua ofruam kapërcimin e krizës financiare e buxhetore. Ata na kërkonin t’i votojmë qeverinë, ministrat, kryeministrin, vetëm që të mbeteshin edhe disa ditë në pushtet. Bllokada ka qenë qëllim në vetvete, e jo aksident,” tha ai.

Abdixhiku u bëri thirrje mërgimtarëve që të marrin pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke theksuar se vota e tyre është vendimtare.

“Vota juaj nuk është e zakonshme, por amanet dhe përgjegjësi për fatin e vendit. Mërgata ka dëshmuar ndikim në zgjedhjet lokale, e mund të ndryshojë rezultatin edhe në ato nacionale,” theksoi ai.

Kreu i LDK-së gjithashtu bëri të ditur gatishmërinë e tij për t’u kandiduar për kryeministër të Kosovës, duke thënë se kjo është një përgjegjësi e madhe që është i gatshëm ta marrë përsipër.

“Ky është një aprovimi që sjell përgjegjësi të madhe mbi supe. Jam gati të ecim bashkë dhe ta mbaj peshën e kësaj detyre në emrin tuaj. Shpresoj që Zoti të më japë forcë, dije e maturi për t’ju prirë me dinjitet,” deklaroi Abdixhiku.