LAJMI I FUNDIT:

Blinken: Muajin e ardhshëm hapet baza ajrore e NATO-s në Kuçovë

Blinken: Muajin e ardhshëm hapet baza ajrore e NATO-s në Kuçovë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, me kryeministrin Rama, se baza ajrore e NATO-s në Kuçovë do të hapet muajin e ardhshëm.

Blinken përgëzoi Shqipërinë për kontributin e dhënë gjatë 15-viteve të aderimit të saj në NATO, duke e cilësuar si një partner të besueshëm.


“Përgjatë 15 viteve të saj në NATO Shqipëria ka dhënë kontribute domethënëse për aleancën tonë. Trupat shqiptare ndihmojnë për të ruajtur paqen në Kosovë, për të frenuar agresionin e Rusisë në krahun lindor të NATO. Muajin e ardhshëm do të përurojë bazën ajrore të NATO-s në Kuçovë. Të 31 aleatët tanë që së shpejti do të bëhen 32 sjellin përvoja dhe aftësi të ndryshme, por secili ka të njëjtin angazhim që të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të sakrifikojmë. Vitet e fundit çdo vend i NATO ka rritur përqindjen për mbrojtjen në 2% të PBB, ndaj dhe aleanca sot është edhe më e fortë falë kësaj. Ne jemi falënderues që Shqipëria po bën pjesën e saj dhe është e angazhuar për të mbajtur detyrimet e saj”, tha Blinken, raporton EuronewsAlbania.

Gjithashtu Blinken theksoi se pjesë e diskutimeve ishte dhe ndërtimi i bazës detare të NATO-s në Portin e Durrësit, por ndërtimi i saj varet nga plani i aleancës për shpërndarjen e aseteve dhe logjistikës.

“Kur bëhet fjalë për bazën detare në Portin e Durrësit, kjo është diçka që ne e kemi diskutuar dhe do ta vazhdojmë ta diskutojmë përmes NATO-s dhe planit për vendosjen e aseteve”, tha Blinken.