LAJMI I FUNDIT:

Blaku: Krijimi i Komisionit për matje të territorit është absurd

Blaku: Krijimi i Komisionit për matje të territorit është absurd

Tentimi i ri i Qeverisë së Kosovës që t’i japë zgjidhje çështjes së Demarkacionit me Malin e Zi, kësaj radhe me krijimin e një komisioni për matje të territorit të shtetit, nuk po gjen përkrahje nga opozita e as nga shoqëria civile.

Profesori i ekonomisë dhe demografisë, Rifat Blaku, tha për KosovaPress se ky vendim i Qeverisë është absurd dhe qesharak, sepse nënkupton që njerëzit nuk e dinë sipërfaqen e territorit të vet.


Sipas tij,  krijimi i këtij komisioni ia humb edhe imazhin shtetit të Kosovës.

“Në këtë vend bëhet një vendim absurd, qesharak, i papjekur, që ia hup imazhin shtetit të ri të Kosovës. Se kush qenkan këta, të cilët nuk e dinë sipërfaqen e territorit nëpër sipërfaqe të veta. Në qoftë se ka mospajtime dhe përplasje rreth një vije kufitare me një shtet, që ka ndodh në shumë raste tjera mes shteteve, nuk ka ndodh asnjëherë që të matet territori, apo e tërë hapësira gjeografike në perimetrin total gjeografik brenda këtyre kufijve… Unë kur e kam dëgjuar fillimisht kryeministrin se gjoja se nëse ka nevojë do ta masim territorin, kam menduar që është një lloj relaksimi si batutë. Por, mbrëmë kur e dëgjova edhe njëherë ishte shqetësimi shumë i madh, sepse në rrethanat kur është një kompleksitet i pakëndshëm i këtij shteti, të merresh dhe të ngritësh komisione, dhe të derdhësh mjete për gjëra banale, triviale, me mat territorin!!! Çfarë lidhje ka territori i Kamenicës, Dardanës, apo i Podujevës, me kufijtë e Malit të Zi”, tha Blaku.

Profesori tha se është shqetësuese të rimatet territori, kur këtë punë e kryejnë shërbimet kadastrale të komunave dhe ministria e Administratës Publike, e cila nxjerr profilin e komunave.

Në krye të këtij komisioni është emëruar kryetari i Akademisë Shkencore të Kosovës, Hivzi Islami, që sipas profesorit të ekonomisë dhe demografisë, Rifat Blaku, nuk ka njohuri për këtë çështje dhe për këtë arsye ky komision del të jetë më shumë humbje kohe se sa që pritet të gjejë zgjidhje të problemit. /KP/