Blake Lively ka reaguar pas sfidës publike të avokatit të Justin Baldonit, i cili i kërkoi aktores që dëshmia e saj të transmetohej drejtpërdrejt në Madison Square Garden.

Bryan Freedman, avokati i Baldonit, i bëri thirrje Lively-t që të dëshmojë para publikut dhe që të ardhurat e mundshme nga transmetimi t’i dhurohen viktimave të dhunës në familje.


Reagimi vjen pasi avokati i Lively-t konfirmoi se ajo është e gatshme të flasë nën betim në gjyqin për ngacmim seksual kundër Baldonit, me të cilin ka punuar në filmin “It Ends With Us”, shkruan DailyMail.

Lively, sipas ekipit të saj, e merr çështjen shumë seriozisht dhe nuk e konsideron këtë një marifet publicitar.

Ndërkohë, Freedman ka akuzuar aktoren se po përpiqet të shmangë të vërtetën dhe se ka përfshirë miqtë e saj të famshëm, përfshirë Taylor Swift dhe Ryan Reynolds, për të ndikuar në situatë.

Ai e quajti Lively “manipuluese” dhe deklaroi se “e vërteta do të dalë në pah përmes dokumenteve dhe pamjeve reale”.

Aktualisht, janë ngritur padi të ndërsjella për shpifje dhe ngacmim mes Lively-t dhe Baldonit.

Ekipet ligjore po punojnë për të bashkuar të dyja çështjet federale në një proces të vetëm. Situata mbetet në zhvillim. /Telegrafi/