LAJMI I FUNDIT:

Bizneset në hall të madh me konkurrencën jo lojale në treg

Bizneset në hall të madh me konkurrencën jo lojale në treg

Si rezultat i shumë ankesave të bizneseve në Kosovë dhe sidave të mëdha me të cilat ballafaqohen bizneset, Oda e Afarizmit të Kosovës ka evidentuar dhe adresuar 14 probleme që ndërlidhen në treg, të cilat janë prezantuar sot në tryezën diskutuese “Konkurrenca jo lojale në treg”.

Drejtori ekzekutiv i OAK, Ismet Mulaj ka thënë se ndër problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohen bizneset e ndershme, është evazioni fiskal, mos pagimi i taksave, mbajtja e punëtorëve në të zezën, prokurimi publik, CEFTA si dhe aksionet e rrejshme për zbritje për mashtrim të konsumatorëve. Të gjitha këto, sipas Mulajt paraqesin konkurrencën jo lojale në treg.


“Kam renditur 14 probleme që lidhen me konkurrencën jo lojale në treg. Prej asaj që është një problem shumë i madh, është evazioni fiskal I shkaktuar prej formave të ndryshme, prej mos pagimit të taksave të ndryshme. Një sfidë tjetër, ose nën problem kryesor është që lidhet me biznesin është mos deklarimi i të punësuarve. Sot kjo sfidë krijon pabarazi të madhe në treg , ku kemi ankesa në mënyrë të vazhdueshme prej biznesit, ku thotë: ‘Unë i kam të regjistruar të gjithë punëtorët, paguaj taksa për ta, paguaj shtetit taksat për ta, ndërsa kompaninë që e kem afër të gjithë punëtorët i mban në të zezën’, dhe kjo natyrisht se e bën të pabarabartë në raport me bizneset e rregullta”, theksoi Mulaj.

Ai ka shtuar se edhe mos fiskalizimi mbetet një sfidë tjetër, ku sot thuhet se 40 për qind e bizneseve në Kosovë janë ende të pa fiskalizuara ku bëjnë pjesë edhe naftëtarët.

Fatime Haziri anëtare e Bordit të Komisionit Kosovar të Konkurrencës tha se me qëllim që të sigurohet zhvillim i qëndrueshëm në ekonominë e tregut të Kosovës, duke ndaluar veprimet që kufizojnë, shtypin dhe çrregullojnë konkurrencën në vend, ligji i Konkurrencës vepron për të siguruar një konkurrencë të lirë dhe efektive në treg.

“Tani kemi qenë duke hulumtuar tregun për monopolet, tregun e telekomunikacionit, tregun e energjisë, tregun e sigurimeve, tregun e importeve të naftës, produkteve farmaceutike, tregun e transportit rrugor e hekurudhor dhe ajror. Po ashtu tregun e mediave dhe produksioneve kinematografike, tregun financiar dhe bankar”, theksoi Haziri.

Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha theksoi se ka korrupsion nëpër institucione private dhe publike, si dhe politika jo adekuate fiskale, të cilat e bëjnë konkurrencën jo fer në treg, krejt kjo ndoshta sipas tij, për shkak se sundimi I ligjit nuk është në nivel të duhur. Ai ka shtuar se Kosova ende nuk i ka definuar krejt kufijtë, edhe me dy vendet fqinje të Kosovës, Malin e Zi dhe me Serbinë, që në baza ditore Dogana, Policia kufitare dhe institucione tjera zënë kalime ilegale të mallrave dhe deklarime të rrejshme.

“Sundimi i ligjit nuk është në nivelin që ne e dëshirojmë, nuk kemi një kulturë shtetërore, për arsye se ende e shohim shtetin ose institucionin si të huajat. Kemi një papunësi bukur të lartë që është një prej kontribuuesve kryesor të në çështjet e ekonomisë jo formale dhe të kontrabandës që ndërlidhen këto së bashku. Korrupsion prezent nëpër institucione privat dhe publike, si dhe politika jo adekuate fiskale, kur e them këtë ne shohim se luftimi i ekonomisë jo formale nuk bëhet vetëm prej një institucioni ose prej një mekanizimi, por së pari duhet të kemi politika të shëndosha fiskale që e pamundësojnë ekonominë jo formale në nivel vendi, por edhe në nivel regjional”, theksoi Berisha.

Pronari i kompanisë “Meka”, Burim Piraj, tha se është i kënaqur që ka një bashkërendim sot në këtë tryezë që të përmirësohet gjendja e bizneseve. Ai deklaroi se si industri problemin më të madh e kanë të eksportojnë prodhimet tyre në Zvicër dhe Maqedoni për shkak të barrierave të ndryshme jo tarifore.
“Ne për momentin si industri problemin më të madh e kemi fillimin e eksportit nga Kosova, duke u ballafaquar me barrierat e ndryshme jo tarifore, të cilat na paraqiten nga vendet e CEFTA-s. Kërkesat për ekspert janë shtuar dhe kemi filluar të eksportojmë vetëm për Shqipëri, kemi bërë disa para kontrata me Zvicër, mirëpo edhe pse Zvicra i pranon produktet me prejardhje shtazore nga Kosova transitin nuk e mundëson Unioni Evropian”, theksoi Piraj. /Telegrafi/