LAJMI I FUNDIT:

Bizneset “goditen” tre herë me rritjen e çmimit të çimentos

Bizneset “goditen” tre herë me rritjen e çmimit të çimentos

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkon që të ndërmerren masa të menjëhershme nga ana e institucioneve të vendit, përkatësisht nga ana e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë, ku si rezultat i pakënaqësisë bizneset paralajmërojnë edhe protesta gjatë ditës së hënë si dhe ndërmarrjen e hapave të tjerë në vazhdim në rast të mos reflektimit nga kompania.

Ngritja e sërishme e çmimit të çimentos për +17.81€/T (duke përfshirë TVSH-në) që do të hyjë në fuqi nga data 08.08.2022, është ngritja e tretë e çmimit të çimentos në vitin 2022, arsye kjo e cila mblodhi në takim urgjent përfaqësuesit e sektorit të prodhuesve të betonit në kuadër të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

“Ngritja e shpeshtë e çmimit, pa paralajmërim paraprak dhe në afat shumë të shkurtër, e mungesa e arsyetimit përmbajtjesor për këto ngritje, po shkakton shumë sfida në operimin e bizneseve të sektorit të prodhuesve të betonit dhe përmbushjen e kontratave që këta të fundit kanë me klientët e bashkëpunëtorët. Si arsyetim për këto ngritje, nga ana e Sharr-Cem konsiderohet të jetë rritja e çmimit të energjisë, e cila nga ana e prodhuesve të betonit gjithashtu konsiderohet si argument i pamjaftueshëm dhe i papranueshëm”, thuhet në komunikatën e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Kjo ishte arsyeja që bizneset të organizojnë urgjent një takim të përbashkët, ku në kuadër të këtij takimi, u theksua që ky sektor po dëmtohet shumë rëndë.

Sipas tyre dëmtimi vjen si rezultat i kontratave të mëhershme e afatgjata, që bëjnë bizneset, e në të cilat ndër të tjera bizneset paracaktojnë edhe çmimet e furnizimeve, e të cilët detyrohen të iu përmbahen atyre çmimeve që kanë kontraktuar disa muaj më herët.

Njëkohësisht kjo ngritje e çmimit konsiderohet si një nga goditjet më të mëdha që i është bërë sektorit të ndërtimit.

“Planifikimi i bizneseve, projektet që zgjasin me vite e problemet e mëdha në operim ishin vetëm disa nga barrierat aktuale të sektorit që kanë vënë në pozita të pafavorshme bizneset, të cilave nuk u kanë mbetur alternativa të tjera për furnizim. Kjo shtuar faktit që bizneset janë në pikun e sezonit, dhe fluksi aktual i punëve, po ndikon në mënyrë direkte dhe zinxhirë edhe tek sektorët që ndërlidhen me ndërtim, duke rrezikuar kështu shumë prodhues dhe qindra e mijëra vende pune”, përfundon komunikata. /Kp/Telegrafi/