LAJMI I FUNDIT:

Bislimi thotë se BE ka vërejtje në dy nga gjashtë kushtet e Kurtit për Asociacionin

Bislimi thotë se BE ka vërejtje në dy nga gjashtë kushtet e Kurtit për Asociacionin

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Bashkimi Evropian (BE) ka vërejtje në dy kushtet nga gjithsej gjashtë sosh, që i ka paraqitur kryeministri Albin Kurti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Bislimi gjatë një konference për media tha se cilat janë ato dy kushtet ku BE-ja ka paraqitur vërejtje mund t’i tregojë i dërguar i BE-së, Miroslav Lajçak.


“Bashkimi Evropian ka vërejtjet e saj në dy kushte, por se cilat janë ato dhe në cilat kanë vërejtje mund ta pyesin Lajçakun kur të jetë në Prishtinë”, ka thënë Bislimi.

Tutje ai tha se deklarata e Kurtit për Asociacionin pas takimit me Lajcak ishte për platformën franko-gjermane.

Bislimi shtoi se Kurti me Lajçakun nuk ka pas diskutim për marrëveshjen paraprake, por për kornizën e planit franko-gjerman.

“Ajo që ka nxjerr Kurti pas takimit, është ajo që është dakord me platformën e planit franko-gjerman me mbështetje të ShBA, por platforma tregon principet dhe veprimet bazë, por gjithçka që ka të bëjë me implementimin e saj duhet të diskutohet në aneksin implementues mes palëve në Bruksel. Plani franko-gjerman tregon kornizën bazë, që nënkupton njohjen de fakto të dy shteteve. Gjashtë kushtet që i ka prezantuar Kurti në fakt janë parakushte që mund të tregojnë se si mund të diskutohet për mekanizmin e avancuar të mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve”, ka thënë Bislimi.

Kurti tregon gjashtë kushtet për formimin e Asociacionit
Lexo po ashtu Kurti tregon gjashtë kushtet për formimin e Asociacionit

Po ashtu i pyetur për Asociacionin në këtë konferencë, ai tha se nuk mund të jetë më e rëndësishme kjo temë sesa ajo për të cilën janë mbledhur sot, Pavarësia e Kosovës dhe Epopeja e UÇK-së.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një nga seancat e Kuvendi kishte treguar gjashtë kushtet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Pikat që përmendi kryeministri janë si në vijim:

-Asociacioni të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi.

-Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5).

-Të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.

-Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale në veri të shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.

-Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke dhe pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së në raport me Kosovën.

-Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë (dhe tek të tjera) shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE, që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013. /Telegrafi/