LAJMI I FUNDIT:

Bislimi: As që është dashur të priten rezultate

Bislimi: As që është dashur të priten rezultate

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, qëndroi ditën e sotme në Bruksel ku mori pjesë në takimet e zhvilluara në kuadër të procesit të dialogut.

Pas përfundimit të takimeve, i pyetur nga gazetarët, zëvendëskryeministri Bislimi tha se rezultate as nuk është dashur të priten sot.


‘’Mendoj që rezultate as nuk është dashur të priten sot. Është fillim i diskutimeve në mënyrë që ta kemi të qartë se ku ndodhemi me procesin dhe ku duam të shkojmë, por nuk është që kemi pritur sot të përfundojmë ndonjë nga proceset.’’

Në lidhje me atë se çfarë ka qenë në agjendë sot, ai ritheksoi se është diskutuar për  zbatimin e Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit.

‘’Gjithçka që ka të bëjë me zbatimin e Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit. Sekuencimi për ne ka qenë pjesa qendrore. Ne kemi patur një propozim të Lajcak, ku kemi patur shumë vërejtje tona. Kemi bërë propozimet në këtë draft-dokument të Lajcak ku kemi zgjeruar domenin dhe kemi dashur të sigurohemi që secili nen i Marrëveshjes Bazike është i përfaqësuar në aktivitetin e zbatimin e tij. Pala serbe nuk ka dërguar ndonjë propozim por ka thënë se ne na intereson vetëm pjesa e Asociacionit e pastaj do të flasim për pjesën tjetër. Mirëpo nuk ka patur gatishmëri nga pala serbe që sot të diskutohet në mënyrë që bashkërisht të dilet me një plan të zbatimit.’’

Në vijim, zëvendëskryeministri Bislimi u pyet se a është folur dhe për temat që janë diskutuar edhe në takimet e nivelit të lartë të 2 majit dhe për situatën në veri.

‘’Situata në veri nuk është trajtuar fare sot. Për takimin e nivelit e lartë në 2 maj nuk ka qenë pjesë e takimit sot, mirëpo ka qenë dokumente të cilat na ka sjellë Lajcak në vizitën e tij me 11 maj në Prishtinë. Ai ka sjellë përshëmbull një draft se si do të duhej të dukeshin termat e referencës për Komitetin e Përbashkët që merret me monitorimin e Marrëveshjes Bazike, draft-dokument për termat e referencës për Komitetin e Përbashkët që merret me zbatimin e Marrëveshjes për të Pagjeturit dhe një metodologji për atë se si ai e sheh punën e mëtejme rreth zbatimit të pikës 7 të Marrëveshjes Bazike”.

“Dy dokumentet që i ceka në fillim kanë ardhur të enjten dhe rrjedhimisht për ne ka qenë e pamundur që sot të vijmë me përgjigjet në plotni, por kemi premtuar që të njëjtat do t’i dorëzojmë deri ditën e premte, pas konsolidimit të të gjitha komenteve që vijnë nga palët e angazhuara. Ndërkaq për metodologjinë kemi thënë se nuk mund të ndërtojmë metodologji për një prej pikave të marrëveshjes pa patur një plan të zbatimit për marrëveshjen në tërësi dhe rrjedhimisht të njëjtën nuk është diskutuar fare.’’ tha zëvendëskryeministri Bislimi.

Mbi sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes, zëvendëskryeministri Bislimi u përgjigj se ka dallime mes palëve.

‘’Ka dallim mes asaj që ne themi si palë subjektive dhe mes asaj që ne jemi dakorduar. Në Aneksin e Implementimit për të cilin ne jemi dakorduar në Ohër shprehet qartë se asnjë nga nenet nuk mund ta kushtëzojë nenin tjetër dhe të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur dhe poashtu thuhet se palët nuk mund ta bllokojnë zbatimin e ndonjë neni të caktuar. Kjo është për neve udhërrëfyes, ajo çka është dakorduar. Unë nuk besoj që ka gatishmëri nga BE që t’i ikë një dokumenti që vetë e kanë sjellë dhe e kanë publiku në webfaqen e tyre’, deklaroi Bislimi./Telegrafi/