LAJMI I FUNDIT:

Bislimi: Nuk ka arsye për zgjatjen e marrëveshjes për targat me Serbinë

Bislimi: Nuk ka arsye për zgjatjen e marrëveshjes për targat me Serbinë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Bisnik Bislimi në konferencën për media lidhur me takimin që ka pasur me palën serbe në Bruksel tha se në njërën prej takimeve është folur edhe për targat e veturave.

Bislimi ka thënë se takimet janë zhvilluar të martën dhe mërkurën, ndërsa tha se të mërkurën ka pasur 2 takime, një me Lajçakun dhe një tjetër me Lajçak dhe drejtorin e të ashtuquajturës zyre për Kosovë në Qeveri të Serbisë, Petar Petkoviq.


“… Në takimin ku është diskutuar për targa ne kemi deklaruar që afati përfundon në shtator të vitit 2021 dhe nuk shohim arsye për zgjatjen e marrëveshjes. Përdorimi i targave KS ka filluar me marrëveshjen e vitit 2011 dhe gjatë implementimit palët kanë devijuar dhe kanë dashur ta imponojnë si marrëveshje të përhershme”, tha ai.

Bislimi më tej tha se është folur edhe për vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë.

Ai ka folur edhe për moslejimin e vizitës së Petkoviqit në Kosovë, duke thënë se kanë argumentuar që ai në vazhdimësi ka tejkaluar agjendat lajmëruara dhe ka përdorur gjuhë provokuese.

Bislimi, ka thënë se e kanë evidentuar si problem kyç mosgatishmërinë e palës serbe që të mos i hap arkivat ushtarake që kanë të bëjnë me divizionin për Kosovën dhe në të njëjtën kohë joseriozitetin e Serbisë kur kërkon gërmime në Kosovë.

“…Kemi diskutuar për gjetjen e modaliteteve për të arritur sa më shpejtë të familjarët e tyre. Pala serbe ka thënë se janë dakord që të hapen të gjitha arkivat, që sipas tyre nënkupton që të hapen arkivat shtetërore të Kosovës që kanë të bëjnë me UÇK dhe kjo është në interes tonë sepse shumica e varrezave masive mund të gjenden në arkivat ushtarake të Serbisë”, tha ndër të tjera, Bislimi.