Bien temperaturat, rritet presioni: rreziku dimëror që shumica nuk e lidh me hipertensionin

Marramendja, zhurma në veshë, “rrahjet” e forta të zemrës, dhimbja e kokës, veçanërisht në pjesën e pasme të saj, janë disa nga shqetësimet më të shpeshta që na sinjalizojnë se ka ndodhur rritje ose ulje e vlerave të presionit të gjakut
Presioni rritet kur temperaturat ditore të ajrit janë më të ulëta, por edhe për shkak të disa zakoneve dimërore. Mjekët thonë se vlerat e presionit të gjakut janë mesatarisht më të larta për rreth 1,7 mm Hg gjatë dimrit. Edhe pse kjo mund të duket e parëndësishme, ekspertët paralajmërojnë se te personat që tashmë kanë presion të rritur të gjakut, ky rritje e vogël dimërore mund të çojë në hipertension të shkallës së parë, me vlera të presionit sistolik (të sipërm) 140–149 dhe diastolik (të poshtëm) 90–99.
Kush reagon më ashpër ndaj luhatjeve të temperaturës
Kur presioni arrin vlerat 140/90, trajtohet me masa parandaluese dhe medikamente përkatëse. Mjekët paralajmërojnë se edhe te vlerat lehtësisht të rritura 130-–139/85–89, pacienti duhet të ndërmarrë masa parandaluese, përdorim të rregullt të terapisë sipas udhëzimit të mjekut dhe një mënyrë jetese të shëndetshme.
Temperaturat më të ulëta të ajrit çojnë në ngushtimin (vazokonstriksionin) e enëve të gjakut dhe shpesh në rritje të presionit të gjakut. Nga ana tjetër, gjatë ngrohjes së papritur, enët e gjakut zgjerohen (vazodilatacion) dhe presioni mund të bjerë. Ndaj këtyre luhatjeve të temperaturës janë më të ndjeshëm personat me vlera të paqëndrueshme të presionit të gjakut, pacientët që trajtohen për hipertension dhe sëmundje kardiovaskulare, si dhe të moshuarit.
Si ndikon dimri në presionin e gjakut?
Vlerat e presionit të gjakut mund të rriten gjatë dimrit për shkak të kombinimit të disa faktorëve të ndryshëm të rrezikut. Disa nxiten vetëm nga moti i ftohtë, ndërsa të tjerët nga ndryshimet në zakonet e përditshme të jetesës, transmeton Telegrafi.
Enët e gjakut ngushtohen
Kur trupi ekspozohet ndaj të ftohtit, ai përpiqet të ruajë nxehtësinë. Për këtë qëllim lirohen hormone si norepinefrina, të cilat ngushtojnë enët e gjakut, duke e vështirësuar rrjedhjen e gjakut nëpër arterie. Zemra, për pasojë, punon më fort dhe rreh më shpejt për të pompuar gjakun, gjë që në fund çon në rritje të presionit të gjakut. Edhe te persona përndryshe të shëndetshëm, presioni mund të rritet lehtë gjatë muajve të dimrit. Te të moshuarit ose ata që tashmë kanë presion të lartë, kushtet dimërore mund të paraqesin një ngarkesë shtesë.
Më pak dritë dielli dhe nivel më i ulët i vitaminës D
Drita e diellit është burimi kryesor i vitaminës D, ndërsa gjatë dimrit ditët me diell, veçanërisht në qytete, janë dukshëm më të pakta. Ditët janë më të shkurtra dhe kalojmë më shumë kohë në ambiente të mbyllura, çka mund të çojë në ulje të nivelit të vitaminës D. Studimet kanë lidhur nivelin e ulët të vitaminës D me presionin e rritur të gjakut, pasi kjo mund ta vështirësojë rregullimin efikas të qarkullimit të gjakut, megjithëse ekspertët theksojnë se rezultatet e studimeve nuk janë gjithmonë njëkuptimta.
Më pak aktivitet fizik
Niveli i aktivitetit fizik zakonisht është më i ulët gjatë muajve të dimrit. Shumica e njerëzve preferojnë të qëndrojnë në ambiente të mbyllura dhe lëvizin më pak. Me kalimin e kohës, së bashku me një ushqyerje dimërore më kalorike, mund të ndodhë rritje e peshës trupore. Pesha e tepërt është një faktor i njohur rreziku për zhvillimin e hipertensionit dhe sëmundjeve kardiovaskulare.
Stresi sezonal
Shoqata Amerikane e Psikologjisë thekson se rreth 41 për qind e njerëzve gjatë sezonit të festave janë në gjendje stresi të shtuar. Gati 9 nga 10 persona thonë se detyrimet festive u shkaktojnë stres. Organizmi në gjendje stresi çliron hormone si kortizoli dhe adrenalina, të cilat mund të rrisin përkohësisht dhe ndjeshëm presionin e gjakut.
Ndryshimet në ushqyerje dhe konsumimi i alkoolit
Dimri është sezoni i “ushqimit ngushëllues”. Vaktet e bollshme, ushqimet e kripura dhe ëmbëlsirat festive janë më të shpeshta në tryezë. Kripa (natriumi) çon në mbajtjen e ujit në organizëm, duke rritur vëllimin e gjakut, presionin mbi enët e gjakut dhe, rrjedhimisht, presionin e gjakut. Alkooli mund të ketë efekt relaksues në fillim, por konsumimi i tepruar i pijeve alkoolike gjatë festave mund të çojë në rritje të qëndrueshme të vlerave të presionit të gjakut.

Si të mbetet presioni i gjakut i qëndrueshëm edhe gjatë dimrit?
Disa ndryshime të vogla mund të na ndihmojnë të kontrollojmë mirë presionin edhe gjatë muajve më të ftohtë.
Kapele dhe doreza
Edhe pse tingëllon si frazë e zakonshme, është e rëndësishme të vishemi me shtresa kur dalim jashtë, të mbajmë kapele dhe doreza dhe të ruajmë një temperaturë të këndshme në ambientet ku qëndrojmë. Këshillohet kufizimi i qëndrimit jashtë kur temperaturat janë dukshëm nën zero. Ngrohni duart, këmbët dhe kokën për ta ndihmuar trupin të ruajë nxehtësinë.
Merrni mjaftueshëm vitaminë D
Nëse mund të qëndroni në diell në mënyrë të sigurt gjatë ditës, shfrytëzojeni këtë mundësi. Trupi prodhon natyrshëm vitaminë D kur ekspozohet ndaj dritës së diellit. Vitamina D mund të merret edhe përmes ushqimeve si peshqit e yndyrshëm detarë, të verdhat e vezës, qumështi i pasuruar me vitaminë D dhe kërpudhat. Nëse vendosni për suplementim, këshillohuni paraprakisht me mjekun.
Lëvizni edhe në ambiente të mbyllura
Moti i ftohtë nuk duhet të jetë justifikim për mungesë totale aktiviteti. Provoni të ecni në vend, të përdorni shirita elastikë ose të ndiqni ushtrime përmes internetit për të ruajtur qarkullimin dhe për të kontrolluar peshën trupore. Është e rëndësishme të shmanget pasiviteti i plotë gjatë muajve të dimrit.
Mos u mbingarkoni me punë të rënda dimërore
Ekspertët theksojnë se është e rëndësishme të mbetemi fizikisht aktivë, por edhe të mos e teprojmë me punë të rënda si pastrimi i borës. Heqja e borës është punë e rëndë fizike, ndërsa thithja e ajrit të ftohtë, në kushtet e enëve të gjakut tashmë të ngushtuara, veçanërisht te personat me sëmundje kardiovaskulare dhe hipertension, e ngarkon më tej organizmin. Kombinimi i të ftohtit dhe përpjekjes së madhe fizike mund të jetë i rrezikshëm. Këshillohet që para daljes të ngroheni, aktivitetet t’i kryeni më ngadalë dhe të bëni pushime të shpeshta.
Kontrolli i stresit
Menaxhimi i stresit forcon kapacitetet psikike dhe ndihmon në kontroll më të mirë të presionit të gjakut dhe sëmundjeve të zemrës. Ushtrimet e frymëmarrjes së thellë, meditimi, lutja, relaksimi me muzikë ose me një filxhan çaji të ngrohtë mund ta ndihmojnë trupin të mbetet në ekuilibër dhe më rezistent ndaj sfidave shtesë.
Ushqyerja dhe pijet
Zgjidhni ushqime të shëndetshme për zemrën, si supat me perime, drithërat integrale dhe proteinat pa yndyrë. Gatuani në shtëpi sa herë që të jetë e mundur dhe kufizoni konsumimin e ushqimeve të paketuara dhe të përpunuara industrialisht, të cilat shpesh përmbajnë shumë kripë. Nëse konsumoni alkool, kufizojeni në maksimum dy pije në ditë për burrat dhe një për gratë.
Kontrolloni rregullisht presionin e gjakut
Kontrolli i mirë i presionit të gjakut mund të na ndihmojë të vërejmë se si temperaturat e ulëta ndikojnë në organizëm, veçanërisht nëse tashmë kemi diagnozë hipertensioni dhe marrim terapi sipas rekomandimit të mjekut. Këshillohet matja e presionit në të njëjtën kohë çdo ditë. Për shumicën e të rriturve, vlerat optimale të presionit të gjakut janë nën 120/80, ndërsa si normale konsiderohen vlerat e presionit të sipërm 120–129 dhe të poshtëm 80–84.
Monitorimi i pulsit, qoftë manualisht në kyç të dorës ose me ndihmën e pulsoksimetrit që mat edhe frekuencën e zemrës dhe nivelin e oksigjenit në gjak, gjithashtu mund të jetë i dobishëm. Pulsi në pushim nga 60 deri në 100 rrahje në minutë konsiderohet i zakonshëm. Rekomandohet t’i drejtoheni një profesionisti shëndetësor nëse vini re vlera të vazhdueshme të larta ose rritje të papritura të presionit të gjakut apo pulsit në gjendje pushimi. /Telegrafi/


































