LAJMI I FUNDIT:

Bie inflacioni në Britani të Madhe

Bie inflacioni në Britani të Madhe

Inflacioni në Britani ra në nivelin më të ulët në 2 vite gjatë Janarit, poshtë objektivit të Bankës së Anglisë, duke i dhënë pak lehtësi familjeve britanike përpara Brexit. Indeksi i çmimit të konsumit u ngadalësua në 1.8% në Janar, pas një rritjeje me 2.1% në dhjetor, sipas të dhënave të zyrës së Statistikave në Londër.

Konsumatorët britanik kanë ndjerë rritjen e çmimeve që prej referendumit për Brexit në vitin 2016, ndërkohë që paundi ra me më shumë se 10% kundër dollarit dhe euros. Inflacioni arriti në nivelin më të lartë në 5 vite prej 3.1% në nëntor 2017.


Megjithatë, pavarësisht rënies që prej fundit të 2017-ës dhe rritjes së pagave me ritmin më të shpejtë në një dekadë, bizneset kanë raportuar një ngadalësim të shpenzimeve konsumatore në muajt e fundit. Sipas sondazheve, familjet britanike janë shqetësuar për perspektivën e vitit 2019, ndërkohë që nuk është arritur ende një marrëveshje për Brexit përpara afatit të 29 marsit.

“Inflacioni i ulët erdhi kryesisht prej rënies së çmimeve të gazit, energjisë elektrike dhe benzinës”, deklaroi zyra e Statistikave. Te prodhuesit, kosto e lëndëve të para u rrit me 2.9% në janar, që ishte rritja më e ngadaltë që prej qershorit 2016.

Zyra e Statistikave publikoi edhe çmimet e shtëpive për muajin Dhjetor, ku ka patur një rritje me 2.5% në të gjithë Mbretërinë e bashkuar, që është rritja më e ngadaltë në 5 vite. /Telegrafi/