LAJMI I FUNDIT:

Brnabiq e vlerëson si mbështetje për Kurtin letrën e ligjvënësve evropianë e amerikanë

Brnabiq e vlerëson si mbështetje për Kurtin letrën e ligjvënësve evropianë e amerikanë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, më 8 gusht shkroi në X se letra e ligjvënësve evropianë dhe amerikanë, përmes së cilës ata kërkuan qasje më të ashpër ndaj Serbisë është “e mirëpritur”, pasi sipas saj, kjo është “provë e gjallë” që homologu i saj kosovar, Albin Kurti, në të vërtetë gëzon “mbështetje dhe inkurajim të plotë për cenimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan”.

Më 7 gusht, dhjetëra politikanë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara i dërguan një letër shefit të diplomacisë të bllokut evropian, Josep Borrell, kryediplomatit amerikan, Antony Blinken, dhe atij britanik James Cleverly. Përmes kësaj letre, ata kërkuan ndryshim të qasjes ndaj Kosovës dhe Serbisë.

Deputetja britanike, Alicia Kearns, që publikoi letrën, tha se atë e kanë nënshkruar dhjetë kryetarë të komiteteve për punë të jashtme dhe 56 deputetë.


Në mesin e nënshkruesve të kësaj letre janë edhe senatori amerikan, Bob Menendez, dhe kongresisti Ritchie Torres.

Kjo letër u mirëprit nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që tha se ekspozon “agjendën shkatërruese dhe destabilizuese të Serbisë”.

Në letër u tha se “Kosova është përballur me pasoja të mëdha pas përpjekjeve të kryetarëve që të hyjnë në zyrat e tyre në veri të Kosovës”.

“Kosova duhet të koordinohet me KFOR-in në të ardhmen për të parandaluar përshkallëzimet. Por, mungesa e presionit ndaj Serbisë pas ndalimit arbitrar të tre policëve të Kosovës dhe dështimi për t’i mbajtur përgjegjës ata që kryen sulme ndaj KFOR-it vënë në pah mungesën e barazisë në adresimin e tensioneve”, u tha në letër.

Brnabiq shkroi sot në Twitter (i riemërtuar X) se “letra është më se e mirëpritur, sepse ofron provë të gjallë se Kurti me të vërtetë gëzon mbështetje dhe inkurajim të plotë për minimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan”.

“Shmangia e zbatimit të marrëveshjeve të arritura (si Marrëveshja e Brukselit duke refuzuar themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe për më shumë se 10 vjet, ashtu edhe Marrëveshja e Ohrit që kërkon zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit) dhe cenimi i të drejtave themelore të njeriut të serbëve në Kosovë ”, ka shkruar Brnabiq, transmeton Telegrafi.

Në kohën e tensioneve në rritje, tre policë të Kosovës u arrestuan nga forcat serbe më 14 qershor. Autoritetet kosovare thanë se ata u “rrëmbyen” brenda terrorit të saj. Policët u liruan më 26 qershor.

Brnabiq shkroi në rrjetin X se shembulli më mbresëlënës i mungesës së besueshmërisë dhe objektivitetit të iniciuesve të letrës është se Alicia Kearns, “arriti të bëhej një prej njerëzve të paktë, deklaratat publike të së cilës u mohuan nga KFOR-i”.

Brnabiq iu referua një deklarate që Kearns bëri më 4 korrik, kur tha se armët nga Serbia në Kosovë po kontrabandoheshin përmes autoambulancave dhe se ato po “ruhen” në ndërtesat e Kishës Ortodokse Serbe.

Më 5 korrik, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, deklaroi se rasti të cilit i është referuar deputetja britanike daton në vitin 2022, kur një batalion i këmbësorisë së Britanisë u përfshi në veri të Kosovës për të mbështetur KFOR-in.

“Prania e supozuar e armëve ilegale është raportuar në Shtabin e KFOR-it, por pas hetimeve të mëtejme nuk janë gjetur prova” për kontrabandë, deklaroi KFOR-i.

Po atë ditë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se po punohej për verifikimin e informacioneve të paraqitura nga deputetja britanike. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
”Me lot në sy jam, trim i trimave”, mjeku i QKUK-së plot emocion rrëfen takimin me Thaçin

”Me lot në sy jam, trim i trimave”, mjeku i QKUK-së plot emocion rrëfen takimin me Thaçin

Lajme
Momenti kur sigurimi i Speciales ia tërheq vërejtjen mjekut pas diskutimit me Thaçin

Momenti kur sigurimi i Speciales ia tërheq vërejtjen mjekut pas diskutimit me Thaçin

Lajme
KQZ: Mbi 1,000 vota me postë konsiderohen të vlefshme pas rinumërimit

KQZ: Mbi 1,000 vota me postë konsiderohen të vlefshme pas rinumërimit

Lajme
Sa ka urgjencë për formimin e Qeverisë së re të Kosovës?

Sa ka urgjencë për formimin e Qeverisë së re të Kosovës?

Lajme
Dëshmitarja për njërin të akuzuar në rastin e 400 kg kokainë: Kemi biseduar, por s’ma tha të vërtetën

Dëshmitarja për njërin të akuzuar në rastin e 400 kg kokainë: Kemi biseduar, por s’ma tha të vërtetën

Drejtësi
Gjeneral Jashari: Përvoja amerikane e rëndësishme për FSK-në

Gjeneral Jashari: Përvoja amerikane e rëndësishme për FSK-në

Siguri
Kalo në kategori