LAJMI I FUNDIT:

Berlusconi iki, Trumpi mbeti, trashëgimia e kalbur populiste është kudo

Berlusconi iki, Trumpi mbeti, trashëgimia e kalbur populiste është kudo

Nga: Paolo Gerbaudo / The Guardian (Titulli origjinal: Silvio Berlusconi may be gone, but Trump’s still here. The rotten populist legacy is everywhere)
Përkthimi: Telegrafi.com

Kur për herë të fundit – më 16 nëntor 2011 – nxitimthi iki nga rezidenca zyrtare e kryeministrit në Pallatin Kixhi [Palazzo Chigi], Silvio Berlusconi dukej si njeri i poshtëruar. Financat e Italisë ishin në telashe, ndërsa investitorët e huaj luanin me bastet kundër bonove të thesarit të vendit; prokurorët ishin në gjunjë për shkak të skandalit famëkeq “bunga-bunga” ku përfshihej një punonjëse e mitur e seksit; aleatët evropianë, Nicolas Sarkozy dhe Angela Merkel, publikisht kishin shfaqur pakënaqësinë e tyre me të. Pakkush në atë kohë do ta kishte marrë me mend se sa politika të ardhshme do ta ndiqnin modelin populist të Berlusconit.


Berlusconi ka vdekur në moshën 86-vjeçare – ishte në spital në Milano, ku po trajtohej për një infeksion në mushkëri. Megjithatë, shikoni përreth dhe kudo mund ta shihni trashëgiminë e tij. Në fakt, vitet që pasuan largimin e Berlusconit nga posti, e shfajësonin stilin e tij politik që kombinonte politikën ekstreme të personalitetit, përdorimin e shkathët të mediave vizuale dhe demagogjinë e paturpshme – të gjitha këto për pasur qasje te zhgënjimi dhe cinizmi i votuesve në lidhje status quo-në. Është e vështirë ta mendosh një politikan tjetër më prefigurativ të politikës së ardhme.

Shumë politikanë populistë të së djathtës që dominonin në vitet 2010, janë krahasuar me Berlusconin, ndërsa i pari mes tyre ishte ish-presidenti i ShBA-së, Donald Trump. Ashtu si Trumpi dhe shumë të tjerë përpara tij, Berlusconi këmbënguli në faktin se ai nuk ishte politikan karriere, por “sipërmarrës i vetëkrijuar” i suksesshëm, i cili kishte vendosur të hynte në politikë për ta shpëtuar vendin nga majtizmi. Ashtu si Trumpi, Berlusconi i detyrohej suksesit përmes përdorimit të jashtëzakonshëm të TV-së – i cili përdorim në rastin e tij u bë më i lehtë nga fakti se zotëronte shumicën e kanaleve televizive private të vendit. Dhe, së fundi, njëlloj si Trumpi, Berlusconi pushtoi skenën politike duke i injoruar të gjitha normat e kurtuazisë dhe mirësjelljes institucionale, duke u paraqitur në mënyrë të pahijshme si viktimë e gjyqtarëve dhe autoriteteve zgjedhore, duke mos u shmangur kurrë nga taktikat më vulgare dhe sensacionale për të tërhequr vëmendjen e publikut – përfshirë këtu prirjen e tij të famshme për shakatë seksuale.

Berlusconi mishëroi atë që Antonio Gramsci e përshkroi si “shijen e popullit italian për operën”, me mitingjet dhe ndërhyrjet televizive që shfaqnin momentet që do t’i përshtateshin një estrade. Megjithatë, për sa i përket përmbajtjes politike, ishte thjesht një neoliberal: revolucioni i tij ishte ai i uljes së taksave dhe burokracisë dhe i çrregullimit të tregut të punës. Në fakt, historikisht më së miri mund të shihet si lidhje mes neoliberalizmit dhe populizmit.

Në Itali, Berlusconi ishte kryesori që e lejoi të djathtën ekstreme që të hyjë në politikën kryesore, duke krijuar aleanca me partinë separatiste Liga e Veriut dhe me partinë post-fashiste Alleanza Nazionale – nga e cila rrjedh partia e kryeministres aktuale, Giorgia Meloni. (Meloni fillimisht doli në qendër të vëmendjes duke shërbyer si ministre i Rinisë në qeverinë e fundit të Berlusconit.)

Çuditërisht, nëse shohim nga prapa, ndryshimi i politikës italiane – gjithnjë e më shumë drejt të djathtës nacionaliste – e ka bërë Berlusconin të duket sot si relativisht i moderuar. Megjithatë, sulmi i tij i vazhdueshëm ndaj punëtorëve, lidhjet e tij të raportuara me mafien, manipulimi me sistemin ligjor, politikat e tij katastrofike ekonomike që kanë përshpejtuar rënien industriale të vendit dhe prirja e tij ndaj individualizmit ekstrem, të gjitha këto i vendosën kushtet për kthesën aktuale reaksionare të Italisë.

Element kyç i suksesit të tij që është imituar nga populistët e djathtë në mbarë botën, ishte aftësia e tij për t’i shndërruar akuzat kundër tij në lëndë djegëse për mbijetesë. Karriera e Berlusconit ishte e mbushur me ndjekjet penale për krimet e lidhura me mafien, me korrupsionin dhe evazion fiskal. Si përgjigje, e miratoi një qasje të dyfishtë. Nga njëra anë, këmbëngulte fuqishëm se ishte i pafajshëm, viktimë e gjykatësve komunistë – personi më i persekutuar në historinë njerëzore. Nga ana tjetër, për të mirën e mbështetësve të tij më të pandershëm, veçanërisht atyre të të një klase biznesi që shpesh angazhohej në praktika të paligjshme ose kontroverse, me raste bëhej indiferent ndaj faktit se sjellja e tij nuk ishte edhe aq e pacenuar, por e kujt është?

Janë të qarta jehonat e mundimeve aktuale ligjore të Trumpit në ShBA – dhe nuk e ndjellin të mirën mira për ata që mendojnë se fati i ish-presidentit do të vuloset nga një aktakuzë tjetër.

Në Itali, ngritja e Berlusconit u bë e mundur nga lodhja që liberal-demokracia italiane kultivoi te njerëzit e zakonshëm, që nga skandali i korrupsionit Tangentopoli në fillim të viteve 1990. Në vende e tjera, figurat e krahut të djathtë i prisnin ndjenjat e ngjashme të zhgënjimit ndaj politikës që dukej se nuk çonte para interesat e askujt, pos të elitës.

Për sa kohë që politika shihet – ndonjëherë me arsye të mirë – si “kënetë” e madhe (për ta cituar retorikën trumpiste) korrupsioni dhe hipokrizie, politika cinike ku Berlusconi ishte pionier dhe të cilën populistët e djathtë e përsosën, do të vazhdojë të triumfojë. Mënyra e vetme për ta thyer këtë magji toksike është ta mbushni politikën me një mision moral, por të qartë, që në fakt sjell përmirësime konkrete për qytetarët. Kjo është pikërisht ajo që Berlusconi nuk arriti të bëjë. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
PSG po kërkon portier, në listë edhe ylli kosovar që po shkëlqen me pritjet e tij

PSG po kërkon portier, në listë edhe ylli kosovar që po shkëlqen me pritjet e tij

Ligue 1

"Deri dje, nuk isha i sigurt se kush ishte lojtari më i mirë në botë, tani e di" - De Ligt me fjalë të mëdha për yllin e Realit

Liga e Kampionëve
Gjermania po e jep falas këtë vilë gjigante, por ka një problem: Sapo përmendet ish-pronari, askush nuk e dëshiron

Gjermania po e jep falas këtë vilë gjigante, por ka një problem: Sapo përmendet ish-pronari, askush nuk e dëshiron

Evropa
Skandal në Eurovision: Televizioni publik RAI zbulon votat e Italisë - afro 40 për qind prej tyre shkuan vetëm për Izraelin?

Skandal në Eurovision: Televizioni publik RAI zbulon votat e Italisë - afro 40 për qind prej tyre shkuan vetëm për Izraelin?

Magazina
“Ne ishim të gatshëm ta japim jetën për ta mbrojtur Kosovën”, presidentja Osmani përcjell mesazhin e ushtarëve amerikanë të Gardës Kombëtare të Teksasit

“Ne ishim të gatshëm ta japim jetën për ta mbrojtur Kosovën”, presidentja Osmani përcjell mesazhin e ushtarëve amerikanë të Gardës Kombëtare të Teksasit

Siguri
Agjenti i lojtarit takohet me Decon, Barcelona gati t'ia plotësojë dëshirën më të madhe Xavit

Agjenti i lojtarit takohet me Decon, Barcelona gati t'ia plotësojë dëshirën më të madhe Xavit

La Liga
Kalo në kategori