LAJMI I FUNDIT:

Berberët

Berberët

Nga: Orhan Pamuk
Përktheu: Daut Dauti

Në vitin 1826, pasi ushtria otomane kishte përjetuar një varg disfatash nga ana e Perëndimit, jeniçerët, të cilët tradicionalisht shërbenin si ushtarë, u patën bërë rezistencë orvatjeve që do t’i modernizonin dhe t’i sillnin në standarde evropiane. Reformuesi, Sulltan Mahmuti II, dërgoi ushtrinë e tij të re e të disiplinuar për të sulmuar shtabin e tyre në Stamboll dhe për ta bërë rrafsh me tokë. Ky ishte një çast me rëndësi jo vetëm në historinë e Stambollit, por edhe në historinë e Perandorisë Otomane, për të cilën të gjithë studentët e liceve në Turqi mësojnë që nga kjo anë ta shikojnë perëndimëzimin dhe modernizimin e perspektivës nacionaliste dhe ta quajnë këtë “Ngjarja shpresëdhënëse”. Ajo që është më pak e njohur është se kjo ngjarje shpresëdhënëse, që përfshin përleshjet me mijëra jeniçerë në qendër të qytetit dhe vrasjet masive në rrugë dhe dyqane, ka ndryshuar pamjen e Stambollit në mënyra që mund të shihen edhe sot.


Sigurisht që ka disa të vërteta në këtë rrëfim, siç tregohet nga historianët modernë nacionalistë. Gjatë tërë supremacisë së tyre 450-vjeçare, shumica e jeniçerëve i takonin të njëjtit, sektit sufi, bektashinjve, të cilët ishin të lidhur ngushtë me dyqanxhinjtë e qytetit. Jeniçerët ishin të vendosur nëpër tërë qytetin dhe ecnin rrugëve të armatosur, duke kryer shumicën e detyrave që sot i bën policia e xhandarmëria. Ata ishin pronarë të dyqaneve të ndryshme. Prania e tyre e zhurmshme në rrugë kishte domethënien se ata ishin në pozitë që të bënin rezistencë të fortë kundër shtetit reformues.

Mahmuti II së pari e dërgoi ushtrinë nëpër kafehane dhe berberhane, shumica e të cilave ishin prona të vëllazërive jeniçere. Duke siguruar fitore ushtarake, ai (sikur edhe shumë sulltanë të tjerë që dëshironin të mundnin rebelimet në rrugë, më i njohuri ishte sulltan Murati IV, për të cilin thuhet se ende shëtitet tebdil nëpër rrugët e qytetit gjatë natës) i mbylli kafehanet dhe berberhanet. Këtu mund të tërheqim një paralele me diçka tjetër që shpesh kam parë në jetën time: parapëlqimi i Republikës moderne për mbylljen e gazetave. Deri vonë secila kafehane dhe berberhane në qytet ka shërbyer (sikur dolmuş-ët, taksitë e përbashkëta të fëmijërisë sime) si vende ku lajmet, legjendat, thashethemet e çastit, gënjeshtrat e kulluara, përrallat tërbuese dhe rezistenca, fabrikoheshin dhe pasuroheshin për t’i minuar deklarimet e udhëheqësve fetarë dhe shtetërorë. Në këtë mënyrë rrihej shtegu për thashetheme dhe puçe kundër tyre, derisa të gjitha lagjet që rrethonin xhamitë, kishat, pazaret, dhe fshatrat rreth Bosforit, shërbenin si një gazetë lokale.

Atyre ditëve Stambolli krenohej për shumë revista gazmore ndër të cilat ‘Akbaba’ (Gjypi) ishte më e dalluara, sepse gërshetimi i tyre i lajmeve dhe zmadhimi i miteve urbane ofronin shprehjen e plotë të frymës së rezistencës. Ato gjendeshin edhe në berberhanet e fëmijërisë sime. Sot televizioni pa ia nda bërtet duke përmbytur kanalet e vjetra të komunikimit dhe në mënyrë aq të madhe e zvogëlon fuqinë e llafeve dhe rezistencën e kafehaneve dhe berberhaneve të qytetit. Kjo nuk duhet të jetë befasi pasi që, me ardhjen e televizorit, kohës së artë të revistave gazmore të Stambollit të cilat dikur patën arritur shifrën e qarkullimit deri një milion, tashti u ka ardhur fundi (vite më vonë, kur shkova te një berberhane në Nju-Jork, pashë se njerëzve që pritnin për t’u shërbyer nuk u jepnin revista gazmore, por një ekzemplar të ‘Playboy’-it dhe kjo gjë nuk ishte shumë befasuese).

Sa i përket ‘Akbaba’-s, revistë pa të cilën asnjë berberhane nuk do të ishte komplete gjatë fëmijërisë sime, më vonë doli se pronari i saj, Yusuf Zija Ortaçi, kishte pranuar ndihma sekrete nga një fond privat i kontrolluar nga kryemi­nistri Adnan Menderesi dhe Partia Demokratike në pushtet, por kjo gjë ka ndodhur edhe në vitet 1870 kur sulltan Abdyl Hamiti ndërmori masa për ta kontrolluar opozitën duke ia blerë botimet – një traditë e cila në një mënyrë më subtile vazhdon edhe sot.

Kur isha djalë i vogël, duke pritur radhën në berberhane, shfletoja nëpër faqet e ‘Akbaba’-së, duke u ndalur aty-këtu për t’i vështruar karikaturat e vizatuara lokale të qytetarëve të stepur nga çmimet e gjërave, duke më pëlqyer anekdotat për shefat dhe sekretareshat e tyre, tregimet e humoristit të popullarizuar, Aziz Nesinit, dhe vizatimet e huazuara nga revistat e Perëndimit. Veshët e mi ishin gjithmonë në gjendje gatishmërie për bisedat përreth meje. Natyrisht, tema që diskutohej më së shumti ishte futbolli dhe prognozat e futbollit.

Disa njerëz, siç ishte kryeberberi Totoja, derisa lëvizte ndërmjet tri karrigeve me tre myshterinj, i paraqiste mendimet e tij për boksin apo për kuajt, ku ai luante kohë pas kohe. Berberhania e tij, e cila mbante emrin vegimtar Venus, gjendej në fund të sokakut të mbuluar, matanë xhadesë së shtëpisë sonë në Nişantaşi. Totoja ishte njeri i lodhur dhe i mazun, por ai tjetri, një nga dy pronarët e tjerë ishte irritues dhe tullac, kurse pronari i tretë ishte në të dyzetat dhe mbante mustaqe të holla si të Douglas Fairbanksit. Më kujtohet se ky ishte më pak i interesuar për të biseduar me myshterinjtë e tij në lidhje me çmimet e larta, dyqanet e reja në mëhallë, këngëtarët dhe yjet e kohës apo për politikën e brendshme, sesa të diskutonte për çështje ndërkombëtare dhe për gjendjen në dynjallëk. Ajo që më bënte përshtypje më së shumti ishte se kur vinte myshteriu, i cili ishte veçanërisht i njohur, i dijshëm, ekspert, i fuqishëm apo i shtresës së lartë, ky berber bashkë me të tjerët fillonin me pyetje përulëse duke filluar me Ne, natyrisht, nuk kemi ndonjë ide … dhe, sapo e bënin myshteriun të hapej, shpejtonin ta vendosnin bisedën në sheshin e fushës së diturisë dhe fuqisë të tij. Nëse merrnin xhevape të ngjashme me Kushton kaq lira apo Ato anije transportuese janë më të mëdha se një fushë e futbollit apo nëse u thuhej se një politikan i famshëm kishte ndonjë dobësi tronditëse apo kishte bërë ndonjë akt qyqar, ata ose belbëzonin diçka si nc, nc, nc ose qap, qap qap, sikur shumë zogj të vegjël derisa brisku i rrojës, që rrëshqiste aq lehtë dhe ngjitas, ndalej për një çast ndërsa berberi dhe myshteriu e shikonin njëri-tjetrin në sy nëpërmjet pasqyrës dhe pastaj pllakoste një qetësi.

Nëse pas tentimit të hapjes së bisedës me pyetjet Pra, çfarë po ndodh? ose Si janë gjërat? ose A jeni për një çaj?, myshteriu mbetej i vranët dhe i heshtur, ata fillonin të llafoseshin kot me njëri-tjetrin. Në këto muhabete njëri e luante rolin e njeriut që i kishte ikur nafaka, i dyti ishte plot me mesele, kurse i treti ishte gjithmonë dhelparak. Mënyra se si e shpotisnin njëri-tjetrin në këto muhabete (sikur në “Mehmeti ia lëshoi edhe një herë Totos kësaj jave”) ma kujtonte sparingun që e kisha dëgjuar në radio në mes të Karagözit, heroit tradicional të teatrit të hijeve, dhe gruas së tij gjuhëmprehtë, Hacivates. Kur myshteriu rruhej, i hiqej përparësja, lejohej djaloshi t’ia krihte flokët, jepej bakshishi dhe kur ai dilte nga dyqani, pronari me mustaqe të Fairbanksit, i cili kishte treguar një kurtuazi dhe respekt, fillonte t’ia shante nënën dhe motrën këtij njeriu.

Kjo ishte se si unë zbulova që bota e të rriturve ishte e popullzuar me tipa të dyfishtë, hidhërimi i të cilëve ishte më i thellë se çdo gjë që njihja unë në botën time të fëmijërisë.

Në berberhanet e fëmijërisë sime i përdornin gërshërët, makinat e mëdha qethëse (të cilat me hidhërim i mënjanonin nëse nuk prisnin mirë), krehrit, topthat e pambukut për të mbajtur flokët jashtë veshëve, ujin e kolonjës, pudrën, dhe për të rriturit briskun e rrojës, shkumën, krehrin për rrojë dhe përparëset e bardha. Sot, pos disa mjeteve elektrike, siç është terësja e flokëve, mjetet nuk kanë ndryshuar shumë dhe kjo duhet të na e përkujtojë se, edhe pse shkrimtarët e Stambollit nuk i kanë shënuar kurrë traditat e tyre, këta berberë (të cilët i përdornin të njëjtat mjete me shekuj duke llafosur sa punonin) me siguri kanë bërë muhabet në të njëjtën mënyrë për një kohë po aq të gjatë.

Nga miniaturat e kohës mund të shihet se brisku i rrojës ka qenë në përdorim në shekullin XVII. Përfaqësuesit e tarafit të berberëve, duke parakaluar para Sulltan Ahmetit, për të deshmuar talentin e tyre, vendosnin një berber kokëposhtë nga kulmi i karrocës së ekspozitës derisa e rruante në mënyrë të përsosur një myshteri. Atyre ditëve koka e njeriut që duhej rruar vendosej te gjunjët e berberit. Ky zakon kishte krijuar mënyrën për tregim klasik të dashurisë në të cilin një njeriu iu kishte mbushur mendja që t’i qethte [rruante] krejt flokët, mjekrën, mustaqet dhe të gjitha qimet vetëm sa për të qenë afër çirakut të bukur të berberit.

Të njëjtin motiv e shohim në tregimin folklorik mbi Kerimin dhe Aslin në të cilin dashnori i nxjerr dhëmbët vetëm për të qenë afër dentistit të bukur. Kjo na përkujton se berberët dhe dentistët janë parë si posedues të njohurisë së ustallarëve dhe disi duke e tejkaluar ekspertizën. Berberët, disa në berberhane e disa në vende të ndara, po ashtu, kanë bërë synet dhe të gjitha procedurat e tjera të operacioneve të vogla. Kjo u ka dhënë atyre vend me rëndësi qendrore në shoqërinë e Stambollit. Por, kur kam qenë fëmijë, ajo që frikohesha nga berberët ishte se ata mund të më nxirrnin fjalë nga goja, sikur dentistët zanatlinj që nxjerrin dhëmbë, pastaj t’i shpërndajnë shpejt ato si çdo gazetë.

Kjo ishte arsyeja që kur ulesha në berberhanen Venus dhe kur e lexoja ‘Akbaba’-në dhe kur e dëgjoja zërin që thoshte “eja këtu efendi i vogël”, shqetësohesha si të isha ftuar të ulesha në karrigen e dentistit. Nuk vinte kjo nga arsyeja se qethësja nganjëherë m’i shkulte flokët nga qafa apo për shkak të atij çasti kur gërshërët futeshin në mua (vizita ime te berberi gjithmonë dukej se përshkohej me dhembje). Frikohesha sepse mendoja që mund të më rrëshqiste nga goja ndonjë sekret i familjes. Unë e kisha një dajë që kishte shkuar në Amerikë dhe nuk ishte kthyer kurrë. Pasi që ma kalonin bezen e bardhë mbi kokë dhe pasi ma shtrëngonin, siç ia bëjnë atij njeriu që e dërgojnë për ta varur në trekëndësh, pyetjen e parë që mund të ma bënin mund të ishte: “Kur do të kthehet daja yt nga Amerika?” Unë nuk e dija. “Sa vite u bënë që shkoi?”

“Ai ka shkuar motiii…”, do të përgjigjej tjetri. “Ai kurrë nuk do të kthehet, jo, kurrë. A e pati kryer shërbimin ushtarak?” Këtu do të pasonte një heshtje. Unë do të shikoja veten time, i turpëruar njësoj sikur ai që kishte “ikur” nga vendi para shërbimit të tij ushtarak dhe do ta kujtoja gjyshen duke qarë kur i lexonte letrat gjithnjë e më të rralla të dajës tim në një turqishte gjithnjë e me të thyer. Por, frika ime e vërtetë ishte se berberët mund të nxirrnin nga unë edhe më shumë sekrete që familja ime i kishte ruajtur me sukses e që unë nuk kisha dëshirë t’i kujtoja.

A ishte kjo për arsye se unë i parashihja këto rreziqe dhe për arsye se e ndjeja se që nga çasti që hyja brenda së shpejti do të më shkonin djersët rrëke (siç do të djersitesha edhe sot ulur përballë ndonjë gazetari që interesohet për jetën time private) dhe që në vizitën time të parë te berberi më shpërthyen lotët? Për disa qethje të ardhshme dhe në ditët që isha i sëmurë, Totoja, pronari me flokë të bardha dhe me fytyrë të pakëndshme, i mblidhte veglat e zanatit në një çantë dhe vinte në shtëpi që të m’i qethte flokët. Ai e shtrinte një gazetë mbi tavolinë, e vendoste një karrige përmbi, dhe më ulte mua në të ashtu që të vija në një nivel me gërshërët e tij. Ky njeri i ngrysur, që e mbante veten të ndarë nga shokët e tij llomotitës, edhe këtu ishte i heshtur. Pasi që mua më pëlqente heshtja e tij nuk vonohesha që të shkoja në berberhane për t’i qethur flokët. Kjo ishte koha kur kuptova se berberi i cili ju rruan në heshtje, pa nxjerrë asnjë fjalë nga goja juaj apo pa ndarë me ju ndonjë thashetheme të mëhallës apo të politikës dhe i cili nuk e shan askënd, nuk është fare berber. /Marrë nga numri i 12 i revistës “Akademia”/