Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, po shijon sërish sukses të madh në skenën globale të muzikës. Projekti i saj më i ri muzikor, “New Religion”, është ngjitur në vendin e parë të toplistës botërore të iTunes, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e artistes.

Kënga e zhanrit euro-dance vjen në bashkëpunim me grupin legjendar britanik të muzikës elektronike Faithless dhe ka arritur të fitojë menjëherë pëlqimin e publikut.


Përveç suksesit në rang global, “New Religion” është renditur në vendin e parë edhe në toplistën e iTunes në Mbretëria e Bashkuar, duke dëshmuar edhe një herë ndikimin e Rexhës në tregun ndërkombëtar të muzikës.

Foto; iTunes Global; Charts

Ky projekt muzikor është pjesë e albumit të saj të ri në ardhje, Dirty Blonde, i cili pritet të publikohet së shpejti. Deri më tani nga ky album janë publikuar tri këngë, përfshirë “Çike çike” dhe “I Like You Better Than Me”, të cilat kanë tërhequr gjithashtu vëmendje të madhe nga fansat.

Megjithatë, “New Religion” duket se është kënga më e preferuar nga publiku deri më tani. Vetëm një ditë pas publikimit, projekti ka arritur të grumbullojë mbi një milion klikime në të gjitha platformat e transmetimit muzikor, duke konfirmuar interesimin e madh të fansave për materialin e ri të artistes.

Me këtë sukses të radhës, Bebe Rexha vazhdon të dëshmojë se mbetet një nga artistet shqiptare më të suksesshme në industrinë ndërkombëtare të muzikës. /Telegrafi/

- YouTube youtu.be