BE e përkushtuar të ndihmojë Kosovën në procesin e integrimeve

Haradinaj, të entjen ka takuar zyrtarë të ngarkuar me çështje rajoni në selinë e Këshillit të Ministrave si dhe Komisionit Evropian, si dhe përfaqësuesit e Bankës Botërore.
Pierr Mirel drejtori për Ballkanin në Komisionin Evropian, sipas Haradinajt ka premtuar se Komisioni do punojë në përpilimin e studimit për Kosovën i cili do duhej të publikohet në këtë vjeshtë.
Sipas Haradinajt, gjatë takimeve, pos gatishmërisë së Brukselit për ndihmë, i është tërhequr vërejtja elitës politike në Kosovë se edhe Prishtina zyrtare duhet të përmbushë obligimet e veta, dhe mënyra më e mirë për këtë do ishte përmbushja e kërkesave të paraqitura në raportin mbi progresin nga nëntori i viti të kaluar.
Siç u konfirmua edhe të enjten, Komisioni Evropian do del me studim në vjeshtë ndonëse fillimisht ishte nisma që ky punim të jetë studim fizibiliteti për Kosovën ku do ishte analizuar se sa është i gatshëm shteti që të ecë drejt procesit të integrimeve.
Me vërejtjet e atyre shteteve që nuk e kanë njohur Kosovës, termi fizibilitet është hequr nga fjalori sepse këto vende konsiderojnë se në këtë mënyrë i jepen Kosovës atributet shtetërore. Punimi në fjalë do quhet "studim", ndonëse në substancë sipas të gjitha gjasave do e ketë përmbajtjen e njëjtë sikur studimet e tjera të fizibilitetit të bëra për vendet tjera të Ballkanit Perëndimor në momentin kur ato kanë vendosur që të nisin procesin e integrimeve. /RTK/



















































