LAJMI I FUNDIT:

BB: Rritja ekonomike pritet të arrijë në 4.4 %

BB: Rritja ekonomike pritet të arrijë në 4.4 %

Rritja ekonomike në Kosovë në vitin 2017 pritet të arrijë 4.4 për qind, nga 3.4 për qind në vitin 2016, e udhëhequr kryesisht nga investimet dhe mbështetur nga konsumi dhe një rigjallërim i eksporteve.

Deficiti fiskal në vitin 2017 parashikohet të zgjerohet në 2 për qind të Bruto Prodhimit Vendor për shkak të rritjes së përfitimeve sociale dhe ekzekutimit të shpejtë të projektit Rruga 6.


Në njoftimin e Bankës Botërore thuhet se eksportet po stimulohen nga rritja e fortë e vendeve të Eurozonës, rritja e prodhimit të metaleve bazë, çmimet e larta ndërkombëtare për nikelin dhe plumbin dhe një rritje me bazë të gjerë në prodhimin e mallrave dhe shërbimeve të tregtueshme.

“Perspektiva e rritjes ekonomike në Kosovë është pozitive, dhe rritja ekonomike parashikohet të arrijë 4.8 për qind në vitet 2018 dhe 2019, por përmirësimi i parashikuar është objekt i rreziqeve, përfshirë perceptimet rreth stabilitetit politik, dhe mungesën e mundshme të kapaciteteve për të çuar përpara planet ambicioze të investimeve publike”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/