Gjykata sportive e DFB-së ka gjobitur Bayern Munich me 35,000 euro për një vonesë prej 37 sekondash në nisjen e ndeshjes kundër Mainz, në javën e 31-të të sezonit të kaluar në Bundesligë.

Sipas vendimit, kontrolli i pajisjeve të lojtarëve të Bayernit nuk u krye në orarin e caktuar (15:25:30), por me vonesë – në orën 15:27:00. Kjo rezultoi në nisjen me vonesë të takimit, për të cilën klubi bavarez u konsiderua përgjegjës, bazuar në nenin 14a të rregullores së DFL.


Gjykata theksoi se vonesa prej 37 sekondash në startin e ndeshjes, edhe pse e vogël në kohë, mjaftoi për të kaluar pragun që kërkon ndëshkim financiar. Nëse ndeshja do të ishte vonuar vetëm 29 sekonda, Bayerni do të kishte shpëtuar vetëm me një paralajmërim.

Në mbrojtjen e tij, klubi gjerman fajësoi lojtarët e Mainz, duke pretenduar se ata u vonuan në fushë. Por ky pretendim u rrëzua nga gjykata, e cila zbuloi se vonesa nga ana e Mainzit zgjati vetëm 50 sekonda – brenda kufirit të lejuar prej 65 sekondash.

Për më tepër, DFB nënvizoi se kjo nuk është hera e parë që Bayern shkel rregullat në këtë drejtim – ishte rasti i shtatë kur kampionët e shumëfishtë gjermanë vonojnë nisjen e një ndeshjeje. Ky fakt shtoi peshën e vendimit për të vendosur një gjobë.

Bayerni, pavarësisht pretendimeve të tij, do ta ketë të vështirë të shmangë përgjegjësinë, pasi precedentët dhe rregulloret ishin qartësisht në favor të vendimit të federatës. /Telegrafi/

telegrafi sport app