LAJMI I FUNDIT:

Bastisja në MINT, Rukiqi: Qeveria Kurti ka aftësi të jashtëzakonshme për kapje të shtetit

Bastisja në MINT, Rukiqi: Qeveria Kurti ka aftësi të jashtëzakonshme për kapje të shtetit

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Berat Rukiqi ka reaguar pas aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës ku janë bastisur zyrat e Ministrisë së Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë (MINT) dhe shtëpia e restoranti i Ridvan Muharremit.

Rukiqi përmes një konference për media ka thënë se ky rast është pjesë e mozaikut të gjatë të sistemit korruptiv kriminal.


“Afera e rezervave shtetërore. Fillimisht dua të theksojë se ky rast është pjesë e mozaikut të gjatë të sistemit korruptiv kriminal nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në të gjitha nivelet e qeverisjes”, tha ai.

Sipas tij, Qeveria Kurti ka aftësi të jashtëzakonshme për kapje të shtetit.

“…e kemi theksuar dhe po e ritheksojmë që ky pushtet ka treguar në një anë paaftësi të jashtëzakonshme për me qeverisë si dhe aftësi të jashtëzakonshme për kapje të shtetit dhe për shtrirje të aktivitetit kriminal dhe korruptiv në të gjitha nivelet.

Afera milionëshe, e cila është temë e ditës. Të gjitha lidhjet që i kemi deri më tani, na japin sinjalin që ky nuk është një rast korruptiv. Të gjitha elementet na çojnë deri te një rrjet mirë i organizuar i krimit…”, ka thënë Rukiqi.

Rukiqi tha se: “Kur flasim për këtë mozaikun kriminal dhe terroristë, koordinimin me personat kriminal dhe të listës së zezë, po i referohem komunikimeve të shefes së Grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila me terroristin, Millan Radojiciq”, ka thënë ai.

Sipas tij, përmbajtja e komunikimeve mes Kusari-Lilës dhe Radojiçiqit ende është e errët për publikun.

Ai gjithashtu përmendi edhe disa afera tjera gjatë mandatit të kësaj Qeverie.

“Rasti i ambasadorit, Martin Berishaj i cili pranon miliona euro nga Beogradi për tregti me energji elektrike, në kohë kur Kosovës i kthehet terri… Nagip Krasniqi i emëruar nga bordi i Qeverisë Kurti, tashmë arrestuar për dyshime të forta për tenderë dhjetëra milionë euro në KEK. Faruk Mujka ish-nënkryetar i Mitrovicës arrestohet dhe i gjinden 60.000 euro cash në shtëpi. Hysen Muzliukaj ish-drejtor në Mitrovicë dhe këshilltar në Ministrinë e Bujqësisë i arrestuar për keqpërdorim të detyrës. Liridon Fandaj asamblist në Suharekë i arrestuar për vjedhje të subvencioneve të bujqësisë. Besnik Mujeci asamblist në Prishtinë i arrestuar për trafikim droge. Berat Lahu asamblist në Prishtinë i përfshirë në rastin Brezovica”, ka thënë Rukiqi.

Rukiqi gjatë fjalës së tij inkurajoi organet e rendit dhe zbatimit të ligjit që të vazhdojnë punën e tyre profesionale dhe të pavarur në këtë rast dhe në të gjitha rastet tjera me elemente korruptive dhe
kriminale.

“Të gjitha faktet e publikuara deri tani, na bëjnë të besojmë që në aferën e rezervave shtetërore, kemi përfshirje të niveleve më të larta politike të kësaj Qeverie, prandaj hetimi duhet të përfshijë këto nivele”.

Ai po ashtu kërkoi edhe arrestimin e ministres Hajdari, pas zhvillimeve të sotme, “Dorëheqja nuk mjafton”.
“I bëjmë thirrje pushtetit që të mos i pengoj hetimet. Me fillimin e sesionit të ri të Kuvendit të Republikës së Kosovës, siç e kemi paralajmëruar, LDK do të kërkoj themelimin e Komisionit Hetirmor për këtë aferë, për të adresuar qartë të gjithë përgjegjësinë politike të niveleve më të larta të pushtetit në këtë aferë milionëshe, me paratë tona”, tha ndër të tjera Rukiqi. /Telegrafi/