Bashkimi triumfon me rezultat të thellë ndaj Prishtinës

Bashkimi ka bërë një hap të madh drejt finales së Kupës së Kosovës në basketboll, pasi ka regjistruar fitore bindëse në gjysmëfinalen e parë.
Të mërkurën mbrëma, në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, skuadra vendase triumfoi ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 83:67, duke krijuar një avantazh të konsiderueshëm para ndeshjes së kthimit.
Takimi nisi më mirë për mysafirët nga kryeqyteti, të cilët fituan çerekun e parë me shifrat 20:14. Sigal Prishtina ruajti epërsinë edhe në periudhën e dytë, e cila përfundoi 19:18 në favor të saj, duke shkuar në pushim me epërsi 39:32.
Megjithatë, gjithçka ndryshoi pas pauzës. Bashkimi shpërtheu në çerekun e tretë, të cilin e fitoi bindshëm 27:13, duke përmbysur rezultatin dhe marrë kontrollin e plotë të ndeshjes. Në çerekun e fundit, prizrenasit vetëm sa e rritën diferencën për të vulosur fitoren.
Lejson Zeqiri ishte më i dalluari te Bashkimi me 17 pikë, tetë kërcime dhe tri asistime. Isaiah Cousins kontribuoi me 19 pikë, tri asistime dhe dy kërcime, ndërsa Shannon Shorter shtoi 18 pikë dhe pesë kërcime. Dequon Lake e mbylli ndeshjen me 15 pikë dhe pesë kërcime.
Te Sigal Prishtina, më efikasi ishte Elijah Clarence me 20 pikë, nëntë kërcime dhe pesë asistime, ndërsa Altin Morina realizoi 15 pikë dhe gjashtë kërcime.
Ndeshja e kthimit e kësaj gjysmëfinale do të zhvillohet pas një jave në Prishtinë, por Bashkimi udhëton me një epërsi të madhe drejt duelit vendimtar. /Telegrafi/
















































