LAJMI I FUNDIT:

Bashkëpunimi i një anshëm tregtar

Bashkëpunimi i një anshëm tregtar

Bashkëpunimi ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk është në nivele të kënaqshme ani pse janë nënshkruar shumë marrëveshje ndërmjet të dyja qeverive. Përfaqësuesit të bizneseve thonë se në të kaluarën pengesat kanë qenë institucionale, tani këto pengesa janë për shkak të mos komunikimit në mes të biznese nga të dyja vendet.

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka ka thënë për Telegrafin se pavarësisht investimeve të shumta që janë bërë qoftë në infrastrukturën rrugore por edhe atë të kalimit kufitare, raportet tregtare mbesin në nivele jo të kënaqshme, me shumë pak përmirësim nga viti në vit.


“Ajo që është për keqardhje është se edhe takimet ndërmjet qeverive të të dyja vendeve nuk kanë rezultuar me rritje të shkëmbimeve tregtare. Derisa në të kaluarën pengesat kanë qenë institucionale, me barriera të shumta që vendet shpeshherë i kanë vënë produkteve të importuara nga vendi tjetër, tashmë pengesat duket se më tepër lidhen me mungesën e komunikimit ndërmjet bizneseve në të dyja shtetet, për çka është e nevojshme që të ketë më shumë takime biznes me biznes. Një të tillë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë e ka organizuar në dhjetor të vitit të kaluar, me interes të madh nga bizneset edhe në Shqipëri në Kosovë”, ka thënë ai.

Zeka ka thënë se institucionet shtetërore mund të bëjnë më tepër në harmonizimin e dokumenteve të caktuara, siç është rasti me certifikatat fitosanitare.

Rafuna: Bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë në nivele jo të kënaqshme (Video)
Lexo po ashtu Rafuna: Bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë në nivele jo të kënaqshme (Video)

Kurse Lulzim Rafuna, këshilltar për dogana dhe tatime i Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për Telegrafi ka thënë se shkëmbimeve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ka hapësirë për tu rritur.

Sipas tij, Kryeministri Edi Rama, nga marrja e mandatit të parë ka bërë ka bërë hapa pozitiv që marrëdhënia mes Kosovës dhe Shqipërisë të jenë të veçantë, si në aspektin politikë, diplomatikë dhe atë ekonomikë.

“Për sa i përket Shqipërisë është duke u ngritur shkëmbimi tregtar. Nuk është në nivelin e kënaqshëm dhe ka shumë hapësirë për të punuar. Ne si Kosovë, jo vetëm me Shqipërinë, por me të gjitha vendet e kemi një bilanc negativ tregtar. Ne jemi një shoqëri konsumuese dhe jemi duke e bërë të pamundurën që ta rrisim prodhimin dhe ta përmirësojmë bilancin”, tha Rafuna.

Ndërkaq ditë më parë Klubi i Prodhuesve të Kosovës(KPK), ka shpreh shqetësimet ndaj vështirësive që prodhuesit nga Kosova janë duke i hasur për shkak të mosfunksionimit të tregut të përbashkët Kosovë – Shqipëri.

“Problemet që prodhuesit nga Kosova hasin kanë të bëjnë me procedurat që aplikohen nga shteti shqiptar për produktet nga Kosova, si pagesa për skaner, mospranimi i certifikatave fitosanitare, kontrollet e gjata dhe të panevojshme produkteve, të cilat shkaktojnë vetëm vonesa dhe rrjedhimisht rritje të kostos”, kanë thënë në Klubin e Prodhuesve të Kosovës.

Sipas tyre pavarësisht nënshkrimit të marrëveshjeve për bashkëpunim ndërmjet të dyja vendeve, por progresi i shënuar deri me tani sipas Klubit të Prodhuesve të Kosovës, lë shumë për të dëshiruar.

Ndryshe gjatë vitit të kaluar eksportet e Shqipërisë në Kosovës kanë qenë në rreth 140 milionë euro, kurse të Kosovës atje vetëm në rreth 40 milionë euro. /Telegrafi/