Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtorja e dënuar e pedofilit të ndjerë Jeffrey Epstein, ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, ndërsa tashmë është publikuar edhe regjistrimi i asaj seance.

Ajo u paraqit në mënyrë virtuale në seancën me dyer të mbyllura, duke u lidhur nga një burg në Teksas, ku aktualisht po vuan një dënim 20-vjeçar për trafikim njerëzor me qëllim shfrytëzimi seksual.


“Po thirrem në të drejtën time për të heshtur sipas Amendamentit të Pestë”, deklaroi 64-vjeçarja më shumë se dhjetë herë gjatë seancës, duke refuzuar t’u përgjigjet çfarëdo pyetjesh që lidhen me hetimin e komitetit për shkelësin seksual tashmë të ndjerë, Jeffrey Epstein.

Në regjistrimin e publikuar të dëshmisë shihet se Maxwell refuzon të përgjigjet madje edhe në një pyetje bazë, nëse ajo ka qenë shoqe e ngushtë me Epstein.

“Do të doja t’i përgjigjesha pyetjes suaj, por me këshillën e avokatit tim, me respekt refuzoj të përgjigjem në këtë dhe në të gjitha pyetjet e ndërlidhura. Peticioni im për habeas corpus është në shqyrtim pranë gjykatës në Distriktin Jugor të Nju Jorkut. Për këtë arsye, po thirrem në të drejtën time për të heshtur sipas Amendamentit të Pestë të Kushtetutës së SHBA-së”, u përgjigj ajo.

Gjatë marrjes në pyetje, Maxwell refuzoi të thoshte nëse kishte qenë e përfshirë në trafikimin e grave të reja apo vajzave, si dhe nëse kishte detyruar ndonjëherë ndonjë grua të re apo vajzë të ofronte shërbime seksuale për Epstein.

Ajo gjithashtu refuzoi t’i dorëzonte komitetit emrat e ndonjë bashkëpunëtori shtesë dhe nuk pranoi të përgjigjej në pyetjet nëse kishte qenë në dijeni që Epstein abuzonte seksualisht me të mitura dhe gra të rritura, si dhe nëse ajo vetë kishte marrë ndonjëherë pjesë në këto abuzime.

Kujtojmë se Maxwell po vuan një dënim 20-vjeçar me burg për rolin e saj kyç në ndihmën ndaj Jeffrey Epstein në rekrutimin dhe abuzimin e vajzave të mitura. /Telegrafi/