Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) ka lansuar sot Barometrin për Ballkanin Perëndimor, ku theksohet se 64 për qind e qytetarëve të rajonit mbështesin integrimin në Bashkimin Evropian, që është një rritje prej 10% më shumë se vitin e kaluar.

Barometri për Ballkanin Perëndimor është publikuar sot në Bruksel, ndërsa gazetarja e Telegrafit, Jehona Hulaj raporton se referuar barometrit po ashtu 64 për qind e njerëzve në rajon janë të bindur se bashkëpunimi rajonal do të përmirësojë situatën ekonomike.


Nga të dhënat, del se 26% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor janë optimistë për anëtarësimin në BE deri në vitin 2030, ndërsa 25% presin që kjo të ndodhë deri në vitin 2035.”

Ndërkaq, 17% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor besojnë se nuk do të anëtarësohen kurrë në BE.

Tutje, 37% e njerëzve në Ballkanin Perëndimor thonë se politika nacionaliste e pengon më së shumti bashkëpunimin rajonal.

Lidhur me këtë, Amer Kepatnoviq, nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (Regional Cooperation Council) thotë se ‘Ballkan Barometer’ është rruga e dëgjimit të njerëzve të rajonit.

“Ajo që do shihni sot në disa segmente duhet të jetë brengosëse për të gjithë”, tha ai.

Tutje, në këtë Barometër për Ballkanin Perëndimor, ndër shqetësimet kryesore janë paraqitur: rritja e çmimeve, korrupsioni, situata politike e papunësia. /Telegrafi/