Barcelona ‘fërkon duart’ pasi mëson klauzolën e re të top sulmuesit të Bundesligës

Klauzola e lirimit në kontratën e sulmuesit të Borussia Dortmund, Serhou Guirassy, pritet të ulet ndjeshëm verën e ardhshme, duke e bërë atë një objektiv me çmim të ulët për klubet elitare të Europës.
Barcelona raportohet se po ndjek nga afër 29-vjeçarin, i cili ka qenë në formë të jashtëzakonshme që prej transferimit te klubi gjerman, pas një periudhe spektakolare te Stuttgart, duke marrë shumë lëvdata nga trajneri aktual, Niko Kovac.
Sipas një raporti nga Sky Germany, Borussia Dortmund po përballet me mundësinë e humbjes së sulmuesit yll për një shumë shumë më të ulët verën e ardhshme. Kontrata e Guirassyt, e cila është e vlefshme deri në vitin 2028, përmban një klauzolë që zvogëlohet progresivisht çdo vit.
Pas një klauzole me vlerë rreth 75 milionë euro që nuk u aktivizua verën e kaluar, një shumë më e ulët do të hyjë në fuqi në vitin 2026, duke e bërë këtë golashënues të jashtëzakonshëm një mundësi tërheqëse për klubet e mëdha.
Kjo klauzolë, sipas raportimeve, nuk vlen për klubet nga Arabia Saudite, të cilat do të duhet të negociojnë drejtpërdrejt me Dortmundin për një marrëveshje.

Disponueshmëria e sulmuesit nga Guinea ka vënë në alarm klubet kryesore europiane, me Barcelonën ndër emrat që po monitorojnë situatën e tij, ndërsa kërkojnë një zëvendësues afatgjatë për Robert Lewandowskin.
Që nga transferimi i tij prej 18 milionë eurosh nga Stuttgart në vitin 2024, Guirassy ka qenë një nga sulmuesit më të rrezikshëm në Europë.
Gjatë kësaj kohe, vetëm Harry Kane (59), Kylian Mbappe (58), Erling Haaland dhe Robert Lewandowski (të dy me nga 46) kanë shënuar më shumë gola sesa Guirassy (44) në të gjitha kompeticionet në pesë ligat më të mëdha të Europës./Telegrafi/



















































